Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Fake Star 5”, duke goditur një rrjet kriminal që vepronte në fushën e kontrabandës dhe falsifikimit të markave tregtare.
Si rezultat i hetimeve dhe administrimit të inteligjencës policore, u zbuluan në zonën e Rrugës së Arbërit, në fshatin Brrar, dy magazina ku prodhoheshin dhe stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Si rezultat i operacionit, 4 shtetas u arrestuan, të identifikuar si:
Luan Haka, bashkë me djalin e tij Lindion Haka (në kërkim), bashkëadministratorë të njërës prej magazinave;
Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkëadministratorë të magazinës tjetër;
Arjan Hida, qiradhënës i ambienteve ku zhvillohej aktiviteti;
2 shtetas u shpallën në kërkim, mes tyre edhe një shtetas turk, Ozkan Sulun, i dyshuar si koordinatori i veprimtarive kriminale.
4 punonjës u proceduan në gjendje të lirë.
Sekuestrohen: Sasi të mëdha veshjesh të kontrabanduara, dhjetëra makineri qepjeje, printimi dhe stampimi, logo false të markave ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, sende dhe dokumente të tjera që do të shërbejnë hetimit
Hetimet treguan se aktiviteti i paligjshëm përfshinte magazinimin, prodhimin dhe tregtimin e mallrave të kontrabanduara, me qëllim shitjen nën emrin e markave të njohura, duke shkelur rëndë të drejtat e pronësisë industriale dhe legjislacionin tatimor e doganor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme penale, për vepra si:
“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”. / abcnews.al