Aranit Kurti dhe Flori Paluçi janë dy viktimat e përplasjes me armë të ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur pranë një karburanti, dhe një konflikt i çastit dyshohet se përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe me humbjen e jetës së dy personave.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se pas një përplasjeje për motive ende të paqarta, Flori Paluçi është qëlluar për vdekje nga shtetasi D. P., 21 vjeç, gjithashtu banues në Manëz.
Ndërsa viktima tjetër, Aranit Kurti, dyshohet se është vrarë nga vetë Flori Paluçi, pak para se ky i fundit të mbetej i vdekur në vendngjarje.
Policia e Durrësit ka nisur menjëherë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P., i cili aktualisht është në arrati.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës, po punon në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe për të administruar çdo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të dyfishtë.