Zbulohet dinamika e vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Nuredin Dumani ndërhyri pasi bashkëpunëtorit iu bllokua arma

0
3636

Një nga ngjarjet më të rënda për të cilat akuzohet Nuredin Dumani është vrasja e Bujar Çelës në shtator të vitit 2020. Në këtë ngjarje, sipas kamerave të sigurisë, njërit prej tre autoreve i është bllokuar arma pasi kishte plagosur vëllain e Talo Çelës. Më pas kamerat kanë fiksuar momentin kur Nuredin Dumani i afrohet viktimës dhe e qëllon me pistoletë duke e lënë të vdekur.

Një nga ngjarjet më të rënda për të cilat akuzohet Nuredin Dumani i arrestuar tri ditë më parë në Fier është vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës më në 17 shtator 2020.

Për këtë ngjarje, Dumanit pritet t’i njoftohet masa e re e arrestit ndërsa “Ora News”, ka siguruar vendimin e muajit tetor 2020 të gjykatës së Elbasanit, për autorin e dyshuar.

Në dosjen hetimore që bën fjalë për ekzekutimin e Bujar Çelës me profesion taksist, tregohet se Dumani së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij është afruar në orët e para të mëngjesit të 17 shtatorit 2020,në lokalin ku qëndronte Bujar Çela me një shok, raporton Ora News.

Sipas materialit hetimor, autorët janë afruar me një automjet tip “Volvo”, ku në drejtimin e makinës ka qenë pikërisht Nuredin Dumani.

Sapo janë afruar në lokal, dy shokët e Dumanit ende të paidentifikuar kanë dalë nga makina dhe janë afruar tek kafeneja ku qëndronte viktima.

Ata kanë qëlluar në prani të mikut të Çelës që ndodhej në tavolinë. Duke ju referuar pamjeve filmike të lokalit, prokuroria e Elbasanit thotë në materialin hetimor se për një moment njërit prej autorëve i bllokohet arma.

Ky çast vihet re nga Nuredin Dumani që ndodhej në makinë. Dumani ka zbritur nga automjeti dhe është drejtuar drejt lokalit ku qëndronte i plagosur, Bujar Çela, të cilin e ka qëlluar disa herë nga afër me një pistoletë, raporton Ora News.

Këto goditje i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe më pas Dumani së bashku me dy shokët e tij ende të paidentifikuar, janë larguar me makinë, të cilën e kanë djegur disa kilometra me larg vendit të krimit.

Ndërkohë identifikimi i Dumanit, është arritur të kryhet përmes gjurmëve në një kartëmonedhë 50 euroshe, të sekuestruar në një pikë karburanti, ku autorët kishin mbushur me naftë automjetin që do përdornin për vrasjen e Bujar Çelës.