Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë gjatë ditës së nesërme në Shqipëri. Fillimisht ishte planifkuar që mbërritja të ishte sot në mbrëmje, por ky variant u anullua, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul, të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë.
Bëhet fjalë për afro 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re. Për momentin, janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të rikonstruktuara të qytetit Studenti në Tiranë, me nje kapacitet total për dy mijë persona.