Automjeti tip “BMW”, me të cilën kanë lëvizur në Bilisht mesnatën e 10 Tetorit, dy vëllezërit nga Elbasani, Durim dhe Resmi Stafa, rezulton se brenda një kohe të shkurtër janë ndaluar plot tre herë nga policia e Devollit.
Në të treja rastet e ndalimit, Durim Stafa, dy herë besohet se ka qënë në shoqërinë e vëllait të tij, Resmiut dhe herën e tretë ka qënë vetëm në automjet.
Deri në këto momente nuk dihet se ku është vendodhja e Resmi Stafës, megjithëse ai është shpallur në kërkim si person i dyshuar për djegien automjetit tip “Audi”.
Sipas hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria e Korçës, mjeti i dy vëllezërve tip “BMW” që dyshohet se lëvizte me targa falso, është shfaqur në vendin, ku është djegur makina e Marsel Buçit, në lagjen “Çezma e Madhe” në Bilisht.
Pikërisht në këtë automjet udhëtonin dy persona. Për shkak të dyshimit ky automjet është ndalur tre herë gjatë natës nga ana e Policise dhe të treja herët drejtuesi i mjetit, ka shfaqur sjellje në mënyrë të ndryshme.
Sipas një raporti të siguruar nga “Ora News”, herën e parë drejtuesi i mjetit ka dhënë deklarime sikur, do të shkonte në Doganën e Kapshticës, të dërgonte të vëllain.
Pas këtij verifikimi, mjeti ku ndodheshin dy vëllezërit, Durim dhe Resmi Stafa, janë lënë të lirë. Por ata kanë vijuar të qarkullojnë natën në rrugët e Bilishtit, duke sjellë ndalimin për herë të dytë.
Herën e dytë kur është ndaluar nga policia e Devollit, Durim Stafa, ka pohuar se do priste njerëz në doganë ndaj po qarkullonte në qytet.
Sërisht një tjetër postobllok, i ka ndaluar pas disa minutash për herë të tretë. Dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” Durim Stafa ishte i vetëm në makinë, duke pohuar se vëllain e tij Resmiun, e kishte lënë në doganë dhe njerëzit nuk i kishte marrë se kishte ngatërruar rrugën.
Bazuar në këto kundërthënie dhe në faktin që në kohën që mjeti i tyre ka qënë në afërsi të vendit të ngjarjes. Si dhe bazuar në deklarimet e tij kontradikture para punonjësve të policisë Devoll, është bërë arrestimi i Durim Stafës, si person i dyshuar për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Njëherësh në pamundësi për të arrestuar vëllain tjetër, Resmi Stafën, policia e Devollit, ka kërkuar ndihmën e komisariatit të Elbasanit, për lokalizimin dhe arrestimin e Resmiut. Një gjë e tillë nuk është bërë e mundur pasi, Resmi Stafa nuk është gjendur në banesë dhe vende të ndryshme ku ai i frekuenton zakonisht.
Nisur nga kjo situatë, Resmi Stafa është shpallur në kërkim si personi i dyshuar për djegien e makinës së Marsel Buçit në Bilisht.
Lidhur me ngjarjen në fjalë është pyetur Marsel Buçi, i cili ka deklaruar se:
- “Ka një konflikt me shtetasen Dezi Arapi, të cilës i është djegur makina dhe për këtë fakt dyshoj se automjetin mund ta ketë djegur nën organizimin e saj, shtetasja Dezi Arapi.”
Është pyetur Dezi Arapi, e cila ka deklaruar se:
- “Marsel Buçin e njoh vetëm me emër sepse kemi jetuar në një lagje dhe se Djegien e mjetit të parë timin e ka kryer Marseli”.
Të njëjtën dëshmi ka dhënë dhe Xhensila Arapi, motra e Deizit.
Nga ana tjetër sipas avokatit të Durim Stafës, nuk ekziston asnjë provë që klienti i tij, Durimi, të këtë lidhje kontakt me Dezi Arapin. Njëherësh sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që ky person të ketë marrë pjesë në djegien e makinës se Marsel Buçit.
Ndaj avokati ka argumentuar se ndalimi i Durim Stafës nga policia e Bilishtit, është i paligjshëm dhe nuk duhet të vendoset masë sigurimi.
Por prej datës 14 Tetor, gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 30 ditor për Durim Stafën. Ndërsa vëllai i tij, Resmi Stafa është shpallur në kërkim.
Djegia e makinës së Marsel Buçit, u realizuar gati dy javë pas djegies së automjetit tip “Benz”, të Deizi Arapit, vajzës së re e njohur si “Gangsterja e Bilishtit”, e proceduar nga policia lokale për “Kundërshtim me forcë të punonjësve të policisë”.
Arapi akuzoi në atë periudhë si indikatorë dhe shkaktarë të djegies së makinës së saj, deputetin e PD, Bledion Nallbatin dhe një nga punëtorët e karburantit të tij, Marsel Buçin.
Marsel Buçi, u mor në pyetje nga policia e Bilishtit, ndërsa nuk pranoi akuzën dhe pretendimet e Deizi Arapit.
Dy javë pas kësaj ngjarje, jo shumë larg shtëpisë së Deizi Arapit, është djegur makina e Marsel Buçit, i cili këtë radhë drejtonte gishtin tek motrat Arapi, me pretendimin se ato ishin shkaktaret e djegies së makinës./ORA NEWS