Operacioni policor “Neonët 3” ka çuar në zbulimin e një tjetër godine të kthyer në laborator për rritjen e kanabisit me llamba, duke e çuar në gjashtë numrin e ambienteve të goditura në kuadër të këtij operacioni.
Tre persona ranë në pranga, Përparim Ndrevataj, Sebastian Gjoka dhe Artan Bilali, ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim.
Blutë kanë ndaluar gjithashtu dy punonjës të OSHEE, Genc Aliaj dhe Blendi Cufaj, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar në gjëndje të lirë. Këta të fundit dyshohet se kanë patur dijeni për aktivitetin kriminal por nuk kanë kallëzuar.
Ndërkohë besohet se ata kanë ndihmuar kundrejt parave për mbulimin e energjisë elektrike që ka konsumuar magazina e përdorur për kanabisin.
Magazina në lagjen “Mark Lula”, e kthyer në një serë të plotë të kanabisit, u bastis nga forcat policore, të cilat sekuestruan 119 bimë narkotike, mbi 2.1 kg kanabis të tharë dhe 284 pajisje elektrike të përdorura për kultivim.
Kontrolli në banesën e personit në kërkim zbuloi armë zjarri, municion, dokumente dhe targa të dyshuara të falsifikuara etij.
NJOFTIM:
Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e specializuara ne DVP Shkoder, ne bashkepunim me Komisariatin e Policise Shkoder, te mbeshtetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 3”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. N., 27 vjeç, banues në fshatin Torovicë; S. Gj., 24 vjeç, banues në fshatin Mjedë; dhe A. B., 58 vjeç, banues në Shkodër.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. A., 63 vjeç, dhe B. C., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit G. Z., 36 vjeç; I. Rr., 34 vjeç; D. T., 54 vjeç; D. P., 32 vjeç; D. S., 39 vjeç; të gjithë banues në Shkodër dhe të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në një ambient (magazinë) në lagjen “Mark Lula”, të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 bimë të dyshuara kanabis, 2 kg e 170 gramë të kësaj lënde të tharë, 284 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 7 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit K. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, disa dokumente italiane dhe një palë targa angleze të cilat dyshohen si të falsifikuara, 3 byzylykë, 1 unazë dhe 1 orë dore Rolex , 1 DVR, 1 fenelinë si ato të policisë, 1 këllëf arme dhe rripa për mbajtjen e armës, si dhe një shumë monetare në paund anglez.


