Zbulohet një ‘shtëpi bari’ në Vlorë/ Pranga 37 vjeçarit, shpallet në kërkim pronari

0
104

Policia ka zbuluar një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në Vlorë, ndërsa ka vënë në pranga një 37 vjeçar dhe shpallur në kërkim një tjetër. I arrestuar është personi që kishte në përdorim këtë banesë për të kultivuar bimët narkotike ndërsa në kërkim është shpallur pronari i saj.

Banesa u zbulua gjatë një operacioni në lagjen “1 Maji”. Brenda shtëpisë u gjetën 160 pajisje elektrike (stabilizator energjie), 236 llampa elektrike, 10 aspiratorë, 5 filtra ajri si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 10 bidona plastik me substanca kimike për bimët.

Gjithashtu, u gjetën një sasi kanabisi të ndarë në 14 doza, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrëpërcjellës të montuar. Nën hetim është vënë edhe një 16 vjeçar, të cilit iu gjet një sasi kanabisi që ia kishte blerë 37 vjeçarit të arrestuar./abcnews.al