Zbulohet “shtëpia publike” në Durrës, arrestohen 2 shtetase kineze. Procedohen 3 klientët shqiptarë

0
2

Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit

Finalizohet operacioni policor i koduar “STORM 8”.

Operacioni u zhvillua pas 3 javësh hetime, me metoda proaktive.

Zbulohet në lagjen nr. 13, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion.

Kishin marrë me qira një apartament dhe e shfrytëzonin për prostitucion; evidentohen dhe vihen në pranga 2 shtetase kineze dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas një hetimi trejavor të ndjekur me metoda proaktive për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Prokurorinë, u finalizua operacioni policor i koduar “STORM 8”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Venecia”, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe, të dyja shtetase kineze.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucion”, tre shtetas nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, që u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga dy shtetaset kineze.

Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetases kineze J. L., 53 vjeçe, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash në euro dhe lekë, pesë aparate celularë, nëntë karta banke të bankave të ndryshme të Republikës së Kinës, një bllok shënimesh, etj.

Këto shtetase kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës për qëndrim, ndërsa në rrugën “Venecia”, në Iliria, Plazh, kishin marrë me qira një tjetër apartament, të cilin e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetaset e huaja janë arrestuar edhe më parë nga shërbimet e DVP Durrës, për të njëjtat vepra penale, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Lule Bore”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.