Zemra e derrave të krijuar gjenetikisht, transplantohen me sukses te pacientët me tru të vdekur

0
117

Shkencëtarët nga Universiteti i Nju Jorkut kanë transplantuar me sukses zemrat e derrit, te dy njerëz me tru të vdekur, duke çuar më tej përpjekjet për të zgjidhur mungesën e organeve njerëzore për transplantim, njofton Reuters.

Zemrat e krijuara gjenetikisht u transplantuan te dy persona që kishin vdekur kohët e fundit dhe që mbaheshin gjallë nga ventilatori, njoftoi të martën ekipi i Langone Health nga New York University.

Procedurat janë kryer në qershor dhe korrik të këtij viti dhe secili marrës është monitoruar për tre ditë.

Nuk u vërejtën shenja të refuzimit në fillimet, tha ekipi, dhe zemrat funksionuan normalisht me medikamente standarde pas transplantimit dhe pa mbështetje mekanike shtesë.

Zemrat u morën nga derrat që kishin 10 modifikime gjenetike – katër për të parandaluar refuzimin dhe rritjen jonormale të organeve dhe gjashtë për të parandaluar mospërputhjet e shkaktuara nga papajtueshmëritë midis derrave dhe njerëzve.

“Qëllimi ynë është të integrojmë praktikat e përdorura në një transplantim tipik, të zakonshëm të zemrës, vetëm me një organ johuman, që do të funksionojë normalisht pa ndihmë shtesë nga pajisje ose ilaçe të patestuara,” tha Dr Nader Moazami, drejtor kirurgjik i transplantit të zemrës në Institutin e Transplantit Langone të New York University.

Procedurat e ekipit të tij vijnë disa muaj pas vdekjes së David Bennett, personi i parë që ka marrë zemrën e një derri të modifikuar gjenetikisht.

© SYRI.net