Nga Mentor Kikia
Tashmë Zeqineja nuk është një deputete e re që thjeshtë bën ndonjë lapsus kur flet apo kur lexon. Ajo, bashkë me këmbënguljen e saj për të mos heshtur, përfaqëson një model. Ky është modeli i degradimit të politikës. Modeli i rrokullisjes së nivelit të parlamentarizmit shqiptar, në aspektin femëror, nga Arta Dade dhe Ermelinda Meksi, pikërisht tek Zeqineja.
Në atë parlament ka shumë Zeqinera, burra e gra. Por shumë prej tyre kanë vendosur të mos tregojnë që janë Zeqine.
Parlamenti është instituconi më i rëndësishëm i një shteti. Është shtëpia e ligjeve, fabrika ku përgatitet struktura që mban në këmbë ngrehinën e shtetit. Aty duhet të mblidhet aristokracia e mendjes së kombit. Njerëzit më përfaqësues dhe më dinjitozë.
Por çfarë përfaqëson Zeqinerizimi si fenomen?
Çfarë përfaqësonin ata njerëz, para se të bëheshin përfaqësues të popullit?
Çfarë përfaqësonte Zeqineja dhe shumë Zeqinera të tjera aty brenda, para se të uleshin në atë karrige?
A kishin ata një kontribut politik, publik, shoqëror, intelektual në shërbim të komunitetit, shoqërisë dhe vendit?
Pa dyshim që jo. Ishin thjeshtë shërbëtorë partiakë dhe të gatshëm për tu përdorur.
Shoqëritë kanë fazat e ujle-ngritjes së tyre. Në vitet ’20 – ‘30 të shekullit të kaluar, deputetët ishin figura të shquara të kohës. Në vitet e komunizmit kuvendi u mbush me mjelëse lopësh, injorantë apo na rastin më të mirë intelektualë servilë e bashkëpunëtorë të regjimit. Pas vititi 1990, u rikthyem tek intelektualët. Parlamenti i parë ishte vërtet shumë cilësor. Pastaj u pa që intelektualët dhe njerëzit me integritet nuk duheshin, dhe nisi pastrimi.
Shkuam tek epoka e deputetëve biznesmenë dhe deputetëve të kërkuar nga Interpoli dhe Europoli.
Tashmë hoqëm dorë nga kriminelët që bëjnë vota dhe jemi në epokën e Zeqinerizimit të politikës dhe shoqërisë.
Ajo që nuk dimë është nëse ka edhe më keq se kaq, apo kjo është faza e fundit e degradimit.


