Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni u shpreh sot në një dalje për mediet nga Kryeministria se, qeveria ka miratuar një vendim lidhur me marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025
“Qëllimi i këtij vendimi është që të garantojë paanshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor dhe të garantojë një klimë të barabartë për kandidimin e të gjithë kandidatëve të të gjitha forcave politike, duke pasur parasysh detyrimin e administratës publike, detyrim që buron nga Kodi Zgjedhor për të garantuar paanshmërinë e administratës përgjatë këtij procesi”, tha Pirdeni.
Këto detyrime, theksoi, Pirdeni, “janë të një niveli tjetër, edhe më të përforcuara për një kategori tjetër të punonjësve të administratës publike, sikurse janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës, ushtarakët aktive, natyrisht edhe për punonjësit e Shërbimit Informativ për të cilët garantimi i de politizimit të tyre përgjatë kësaj periudhe është gjithashtu domosdoshmëri për t’u garantuar”.
Në këtë vendim, shtoi Pirdeni, “jemi siguruar që të parashikohen në detaje të gjitha zotimet që do të duhet të ndërmarrin të gjithë drejtuesit e institucioneve, titullarët e ministrive, drejtuesit e institucioneve të varësive, për të garantuar që të organizohet puna paraprakisht për të informuar, për të mirëorganizuar të gjithë procesin e respektimit të detyrimeve që burojnë nga Kodi Zgjedhor, për të ushtruar kontrollet periodike, mbi institucionet e tyre në varësi, për të garantuar një monitorim të plotë të të gjithë funksionimit të administratës, përdorimit të burimeve njerëzore, por edhe atyre materiale përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore”.
Gjithashtu, theksoi ministrja, “parashikohet shprehimisht në këtë vendim që sikurse diktohet nga Kodi Zgjedhor, Departamenti i Administratës Publike do të pezullojë të gjithë procedurat e rekrutimit për periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 11 prilli deri në 11 maj, me qëllim që të garantohet një proces zgjedhor i rregullt dhe i drejtë”.
Pirdeni shtoi se në këtë vendim qeveria ka kaluar në një nivel tjetër për të garantuar një standard edhe më të lartë të parandalimit të përdorimit të administratës publike përgjatë procesit zgjedhor, duke parashikuar që që prej datës 3 mars do të ndalohet çfarëdolloj procedure rekrutimi përmes atyre institucioneve që rekrutojnë punonjësit e tyre përmes Kodit të Punës, që të marrin në punë dhe të punësojnë punonjës të rinj”.
Natyrisht, shtoi Pirdeni, “procedurat e nisura do të duhet që të përfundojnë, por asnjë procedurë e re punësimi në ministri, në institucionet e varësive, por edhe në të gjitha ato shoqëri aksionere, ku shteti është pronar nuk do të zhvillohen procedura rekrutimi të reja dhe ky vendim parashikon vetëm një përjashtim që vetëm në raste të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për nevojat emergjente për të plotësuar ato detyrime që burojnë nga legjislacioni në fusha sikurse janë infrastruktura kritike, shëndetësia, arsimi ose mbrojtja, nën përgjegjësinë e drejtuesit të institucionit do të garantohet që ato nevoja emergjente të plotësohen”.
Pirdeni u shpreh se, “përtej nevojave emergjente i gjithë ky proces i rekrutimit do të pezullohet për të gjithë punonjësit, marrëdhëniet e të cilëve rregullohen me Kodin e Punës që nga 3 marsi e deri në 11 maj për të garantuar që i gjithë ky proces parazgjedhor të zhvillohet në një klimë të qetë, në një klimë në përputhje të plotë me të gjitha standardet e paanshmërisë të administratës publike, por edhe në respektim natyrisht të të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që kanë nëpunësit e institucioneve tona”.