Zgjedhjet në PS e Elbasanit, Gjiknuri: Ky proces gur rëndësishëm në ripërtëritjen e partisë

0
116

Elbasani ishte ndalesa e radhës në kuadër të turit të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit.

Tre kandidatët e përzgjedhur për fazën finale, Ardit Demiri, Ermira Urupi, Agron Lulaj prezantuan platformat e tyre para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Elbasan ku i pranishëm ishte dhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i PS-së për qarkun.

Në fjalën e tij, Gjiknuri nënvizoi se ky proces është një gur I rëndësishëm në riaftësimin e PS e cila është në mandatin e saj të tretë. Ai theksoi se PS në këto 31 vite të ekzistencës së saj është karakterizuar jo vetëm nga lidershipi, por dhe nga fryma e solidaritetit. “Dua t’i uroj gjithë Partisë Socialiste rrugëtim të mbarë në këtë gurë kilometrik të rëndësishëm në riaftësimin e saj dhe të mos harrojmë jemi në mandatin e tretë qeverisës. Ne nesër kemi festën e partisë, mbushim 31-vjetorin. 31 vjet për një parti që të jetë e para në vend nuk është pak, madje mund të jetë ndër rastet e rralla në Europë. Por si kemi arritur deri këtu? Lidershipi i duhur, por mbi të gjitha fryma e solidaritetit mes nesh. Prandaj kryetari i partisë duhet të ketë një cilësi, të mbajë frymën e solidaritetit.

Kryetari i Partisë duhet të jetë babai i asaj shtëpie, ku të gjithë socialistët do të trokasin,do të diskutojnë idetë, do të shfaqin dhe pakënaqësitë, edhe për gjërat që nuk shkojnë mirë. Por pikërisht ne në këtë stad duam ta çojmë Partinë Socialiste. Jo thjesht ndonjë trokitje për punësim apo hall të ditës, hallet patjetër që do t’i dëgjojmë, jemi pjesë e këtij procesi, por mbi të gjitha çfarë duhet të përmirësojmë dhe në punët tona edhe në drejtimin e partisë, qoftë në institucione të tjera”, tha Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së u shpreh se ripërtëritja në këtë mandat të tretë është një domosdoshmëri. “Prandaj në këtë mandat të tretë procesi i ripërtërimit të PS, është domosdoshmëri, dhe prandaj kemi zgjedhur këtë formë unike të komunikimit të anëarësisë për të gjetur gjithmonë drejtues më të mirë që do të na drejtojë në katër vitet e ardhshme”, theksoi ai.

Drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit nënvizoi se ky process unik vjen për herë të parë duke bërë që kandidatët për drejtimin e partisë të ballafaqojnë platformat e tyre për të zgjedhur si drejtues më të mirët. “Është process ndryshe, është proces i hapur, madje sot kanë mundësi që ta shohin të gjithë shqiptarët për këtë formë të ushtrimit të demokracisë, nëpërmjet debatit dhe ballafaqimit.

Dikur dhe këtu kemi qenë dëshmitarë, versioni klasik i zgjedhjes së kryetarit të partisë, ka qenë një grup i ngushtë kulisash që propozonte një apo dy kandidatë dhe shpesh nuk u jepej mundësia shumë të tjerëve të cilët kanë vullnetin , dëshirën, mbi të gjitha për të dalë përballë anëtarësisë dhe për të komunikuar me ta. Një nga ABC-të e lidershipit është të dalësh përpara njerëzve para njerëzve që ke marrë përsipër t’i udhëheqësh dhe të komunikosh me ta se çfarë idesh ke , si do ta çosh përpara këtë proces. Pikërisht kjo mënyrë e hapur komunikimi do të bëjë të mundur të identifikojmë vërtet kandidatët tanë më të mirë që marrin përsipër të bëjnë udhëheqësin e kësaj partie në Elbasan.

Ky proces ka filluar në të gjithë Shqipërinë. Ju e keni ndjekur, ka një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe, ka shumë kandidatë, njerëz që kanë eksperiencë në PS, kandidatë të rinj që mbase e kanë filluar rrugëtimin në PS, por të gjithë kanë një karakteristikë të përbashkët: Kanë dëshirën për të drejtuar një parti politike”, u shpreh Damian Gjiknuri.

/abcnews.al