Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilëve u ka skaduar karta e identitetit dhe nuk e kanë rinovuar ende, do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Këshill i Ministrave ka vendosur ditën e sotme shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit deri në datën 30 prill 2021, konkretisht 5 ditë pas ditës së zgjedhjeve elektorale.
Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi nga data 25 mars. Vendimi është firmosur nga Braçe në munges të kryeministrit Rama.
AKT NORMATIV PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
opinion.al