Hakerat e “Homeland Justice” kanë publikuar një mesazh kërcënues në Telegram, ku pretendojnë se zotërojnë komunikimet dhe korrespondencën e disa anëtarëve të Kuvendi i Shqipërisë gjatë muajve të fundit.
Në postimin e tyre, ata shprehen se janë “më afër nga sa mendohet”, duke akuzuar disa prej anëtarëve të Kuvendit për lidhje me persona të përfshirë në krime të rënda. Në mesazh përdoret një gjuhë e ashpër dhe paralajmërohet se, sipas tyre, kjo çështje do të bëhet publike dhe “turpi do të mbetet përgjithmonë”.
“Homeland Justice” pretendon se ka në dorë të gjitha bisedat dhe korrespondencat e fundit të disa figurave politike, ndërsa i akuzon ata për mbrojtje të personave që i cilëson si autorë të krimeve të rënda.
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga institucionet shqiptare lidhur me këtë deklaratë, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një kërcënim të bazuar në materiale reale apo për një deklaratë propagandistike në rrjet.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni mbrojtur me të vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të bëjmë që kjo turp të mbetet me ju përgjithmonë,” ka postuar Homeland Justice.



