Hetimet e SPAK për skandalin e tenderëve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po hyjnë në një fazë të re.
Sipas Vox News Prokuroria e Posaçme po heton jo vetëm rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe atë të ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Daniel Shima u zhduk më 20 gusht, ndërsa një ditë më vonë u kthye në banesë në orët e vona të natës. Fillimisht.
Familjarët e tij e denoncuan zhdukjen pasditen e 20 gushtit, pasi e dashura e tij kishte marrë një mesazh shqetësues ku ai shkruante: “Po më arreston policia”.
Ndërkohë Policia deklaroi se ai ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë Shima kishte pohuar në mënyrë jozyrtare se ndodhej në Dhërmi.
Ngjarja ka ngjashmëri të forta me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, për të cilin SPAK ka nisur hetime më herët. Dyshohet se edhe në rastin e Shimës, persona të veshur si efektivë policie kanë qenë të përfshirë, ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë pasur dijeni për ngjarjen.
Sipas informacioneve, gjatë ditës së sotme agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesat e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit.


