Zhvendosen 33 të burgosur në Peqin, largohen nga burgu i Durrësit pas arratisjes së Altin Ndocit

0
2

33 të burgosur të konsideruar si persona me rrezikshmëri tepër të lartë janë transferuar nga Paraburgimi i Durrësit drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

Operacioni është zhvilluar pak pas mesnatës së djeshme në masa të larta sigurie. Ndër emrat e personave të transferuar është edhe Lulëzim Berisha, i cili prej disa muajsh qëndronte në një nga qelitë e paraburgimit në Durrës.

Vendimi për transferimin e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali rajonal Durrës, gjatë kohës që ai u dërgua atje për një vizitë mjekësore në repartin infektiv.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në “sitë”, për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së secilit.

Një ditë më parë Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari urdhëroi hartimin e një plani të ri kombëtar rishpërndarjeje, duke i ndarë të burgosurit sipas rrezikut shoqëror.

Në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit, hetimet janë përqendruar në verifikimin e procedurave të ndjekura, masave të sigurisë të zbatuara gjatë shoqërimit dhe qëndrimit të të burgosurit në ambientet spitalore, si edhe në përcaktimin e përgjegjësive institucionale apo individuale.

Me urdhër të ministrit të Drejtësisë u shkarkua I gjithë zinxhiri koandues i burgut të Durrësit, ndërkohë që tetë efektivë të këtij institucioni janë arrestuar dhe pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.