Një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj dhe shkurre është përfshirë nga zjarri mesditës e së enjtes. Flakët nisën fillimisht në kodrat e fshatit Pajovë në Bashkinë e Peqinit e më pas, të favorizuara nga era e forte, u zhvendosën në jug duke përfshirë kodra të tëra me ullinj pranë fshatit Qafë Shkallë në Bashkinë e Belshit. Ekipeve zjarrfikëse të Belshit u kanë ardhur në ndihmë efektivë dhe mjete të zjarrfikëseve Peqin dhe Cerrik. Të angazhuar gjithashtu në vënien nën kontroll të flakëve janë edhe dhjetëra banorë të zonës. Por duket se moti me temperatura të larta dhe erë të fortë e favorizon përhapjen e mëtejshme të flakëve. Terreni i vështirë për kalimin e mjeteve po ashtu bëhet pengesë për shuarjen e zjarrit. Kjo është vatra e parë e konsiderueshme këtë verë në qarkun e Elbasanit i cili deri tani nuk ka pasur problematika të mëdha nga zjarret.
tch