Zjarr në Shmil, Elbasan,angazhohen rreth 90 forca operacionale

0
1

Në zonën e Shmilit, një nga zonat malore më të mëdha në qarkun e Elbasanit, vijon me intensitet puna për shuarjen e një vatre zjarri që ka përfshirë që prej të shtunës një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje e shkurre e masive me pemë frutore .Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan,Ndriçim Sinani bëri me dije se edhe sot forcat operacionale janë në terren që prej orëve të para të mëngjesit duke u përballur me kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer ,temperaturave mjaft të larta dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Sipas Sinanit në operacion janë angazhuar rreth 90 efektivë nga strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, forcat e ushtrisë si dhe punonjës të bashkisë. Ndërhyrja është duke u zhvilluar në mënyrë të koordinuar me mjete zjarrfikëse dhe pajisje të specializuara ,ndërsa në zona të paarritshme me automjete po punohet edhe me mjete rrethanore dhe forca fizike.

Sipas drejtorit të emergjencave civile në Bashkinë e Elbasanit në masivin pyjor Lugaxhi – Dritas prej 6 ditësh vazhdon puna pa ndërprerje për izolimin e e vatrave të zjarrit . Terreni mjaft i veshtirë dhe era e fortë kanë penguar vazhdimisht punën e forcave zjarrfikse , ushtrisë agjensisë së shërbimeve publike ,emergjencave civike dhe punonjësve të shërbimit pyjor . Në terren çdo ditë që prej të shtunës kanë punuar mbi 50 punonjës në temperatura ekstreme dhe në një terren tepër të thyer.

Aktualisht sipas Sinanit është bërë izolimi i tre vatrave aktive dhe po punohet për mbylljen e plotë të gjitha batrave aktive gjatë ditës së sotme.Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat apo jetën e banorëve, por po merren të gjitha masat për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve pasi gjatë kësaj kësaj jave flakët përparuan edhe në territorin e dy fshatrave të bashkisë Librazhd.

Puna për shuarjen e zjarrit do të vijojë deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të tij, ndërsa strukturat në terren janë në gatishmëri të lartë për çdo përkeqësim të situatës./elbasani flash