Uellsi i Ri Jugor në Australi po përballet me një valë të re zjarresh shkatërruese që po përhapet me shpejtësi në bregdetin qendror, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhra të menjëhershëm evakuimi për banorët e Figtree Bay dhe Woy Woy, një zonë me mbi 350,000 banorë rreth 40 kilometrave në veri të Sidneit. Dhjetëra mijëra hektarë tokë janë tashmë shndërruar në hi, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po e përkeqësojnë situatën nga ora në orë.
Më shumë se 50 vatra zjarri janë regjistruar sot në të gjithë shtetin, përfshirë një zjarr masiv në rajonin Upper Hunter, i cili konsiderohet në nivelin më të lartë të rrezikut pasi ka djegur pothuajse 100,000 hektarë. Shërbimet zjarrfikëse po luftojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve, por kushtet e motit po e bëjnë kontrollin tepër të vështirë.
Kryeministri australian Anthony Albanese u bëri thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të ndjekin në çdo moment udhëzimet e autoriteteve, duke theksuar se situata mund të përkeqësohet me shpejtësi. Ai paralajmëroi se çdo vonesë në evakuim mund të jetë fatale.
Zjarret e reja kanë ringjallur frikën e një sezoni veror tepër të rrezikshëm, teksa Australia ende mban të freskët kujtimin e “Verës së Zezë” të viteve 2019–2020, kur flakët dogjën një sipërfaqe sa madhësia e Turqisë dhe shkaktuan vdekjen e 33 personave
Me kushtet klimatike që po krijojnë të njëjtën skenë të rrezikshme, autoritetet paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi i një vere të gjatë dhe të vështirë.
© SYRI.net


