Elbasan
-Katastrofë mjedisore në Elbasan,zjarr i fuqishëm në Landfillin pranë Inceneratorit ,tym i zi dhe aromë e padurueshme mbi qytet. Njëkohësisht zjarri në fshatin Balëz që filloi që rreth orës 13:00 vijon të jetë aktiv.
Një situatë alarmante mjedisore është shënuar pasditen e sotme në periferi të qytetin e Elbasanit ku rreth orës 17:10 ka shpërthyer një vatër zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve, në zonën e njohur si Landfilli pranë Inceneratorit të Elbasanit.
Zjarri, i cili po përhapet me shpejtësi në sipërfaqet me mbetje të ndryshme urbane dhe industriale, është shndërruar në një katastrofë mjedisore të mirëfilltë. Flakët e mëdha shoqërohen me shtëllunga të dendura tymi të zi që janë ngritur në ajër dhe po përhapen në drejtim të zonave të banuara të qytetit duke krijuar një re të madhe dhe ndotjeje mbi Elbasan.Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe ” erës “helmuese dhe rrezikun për shëndetin publik.Forcat zjarrfikëse janë nisur për në vendngjarje dhe po përpiqen të përballojnë flakët, por përmasat e zjarrit dhe lloji i materialeve që po digjen të cilat përfshijnë mbetje plastike, organike dhe të tjera të rrezikshme po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë.Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës janë në gadishmëri, ndërsa qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë brenda ambienteve të mbyllura dhe nëse është e mundur, të shmangin frymëmarrjen direkte të ajrit të ndotur.Ngjarja ka nxitur shqetësime të mëdha për ndikimin që zjarri mund të ketë në shëndetin e banorëve, cilësinë e ajrit dhe ndotjen afatgjatë të mjedisit. Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi shkakun e zjarrit, por institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident, pakujdesi apo zjarrvënie të qëllimshme.Situata mbetet kritike dhe në zhvillim, ndërsa pritet një reagim i shpejtë nga strukturat qendrore për të menaxhuar pasojat dhe për të siguruar transparencë mbi shkallën e dëmit mjedisor.