Zjarri në spital vr*t 10 foshnja të porsalindura/ Qeveria: Do të identifikojmë përgjegjësit për këtë tragjedi dhe do të marrim masa të rrepta

0
16

Një zjarr përfshiu një njësi të kujdesit intensiv neonatal në një spital në Indinë veriore, duke vrarë 10 foshnja të porsalindura dhe duke plagosur 16 të tjerë, thanë autoritetet.

Zjarri ka ndodhur të premten vonë në një spital në qytetin Jhansi, shteti Uttar Pradesh. Zyrtarët thanë se zjarri u përhap me shpejtësi përmes repartit, ku po trajtoheshin 55 foshnja.Nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë shkaktoi flakët. Brajesh Pathak, zëvendëskryeministri i shtetit, vizitoi spitalin dhe u takua me familjet të shtunën. Ai premtoi mbështetjen e qeverisë për familjet e viktimave dhe premtoi një hetim të plotë.

Ne do të identifikojmë përgjegjësit për këtë tragjedi dhe do të marrim masa të rrepta. Qeveria qëndron me familjet në këtë kohë të vështirë,” tha ai.

Kur mbërritën zjarrfikësit, reparti u përfshi nga flakët dhe shtëllungat e tymit. Ekipet e shpëtimit duhej të thyenin dritaret për të arritur tek foshnjat e porsalindura. Dëshmitarët okularë thanë se operacioni i shpëtimit filloi rreth 30 minuta pasi shpërtheu zjarri, duke vonuar përpjekjet e evakuimit.

Incidenti ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë së spitalit. Ndërsa alarmet e zjarrit ishin instaluar në njësinë e kujdesit intensiv, prindërit dhe dëshmitarët thanë se ata nuk u aktivizuan gjatë zjarrit. Stafi i spitalit veproi vetëm pasi panë shenja tymi dhe zjarri.

“Nëse alarmi i sigurisë do të kishte funksionuar, ne mund të kishim vepruar më shpejt dhe të kishim shpëtuar më shumë jetë,” tha Naresh Kumar, një prind që humbi fëmijën e tij.

Akhtar Hussain, djali i të cilit u shpëtua dhe po merr trajtim në një repart ngjitur, ra dakord se tragjedia mund të ishte parandaluar nëse spitali do të kishte protokolle më të mira sigurie.

Zjarret janë të zakonshme në Indi, ku ligjet e ndërtimit dhe normat e sigurisë shpesh shpërfillen nga ndërtuesit dhe banorët. Mirëmbajtja e dobët dhe mungesa e pajisjeve të duhura zjarrfikëse në vend çon gjithashtu në vdekje.

Në maj, të paktën gjashtë foshnja të porsalindura vdiqën në një zjarr në një spital fëmijësh në Nju Delhi, tre vjet pasi një zjarr në spital në shtetin perëndimor të Maharashtra vrau 10 të porsalindur./ CNN