Zjarri tek varrezat në Elbasan! Rama turpëron Llatjan.Nuk të falet

0
2

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit për të diskutuar mbarëvajtjen e pushtetit vendor dhe menaxhimin e territorit, sidomos gjatë sezonit turistik.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka kritikuar me tone të ashpra kryebashkiakun e Elbasanit, Gledjan Llatja, duke e konsideruar të papranueshme situatën në varrezat e qytetit dhe mungesën e kontrollit në territor

“Bari i varrezave të Elbasanit ka potencial të bëhet kallam, të bëhen varrezat kallamishte, dhe kur shkon dikush i vë flakën, për turp bëhen vend zjarrvënieje. Edhe nëse është i sëmurë mendor personi që i vë zjarrin, nëse bari qethet siç duhet, zjarri nuk merr qiellin”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se është e pajustifikueshme që në një qytet si Elbasani – që sipas tij, mund të përshkruhet fare lehtë në këmbë nga njëri cep në tjetrin – kryetari i bashkisë të mos jetë i informuar për çdo zhvillim në terren.

 

“Është e pakonceptueshme të ndodhin gjëra që do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit nëse Elbasani do ishte sa Shanghai. Një qytet që mund ta ecësh në këmbë çdo ditë nga cepi në cep, siç janë shumica e qyteteve në Shqipëri. Dhe mos ta dijë kryetari i bashkisë, të mos jetë i informuar për çdo tullë që vihet në qytet? Është e pamundur, nëse kryetari i bashkisë i rri në kokë gjërave”, tha Rama.

 

Ai paralajmëroi se në bashkitë e Elbasanit dhe Lushnjës do të duhet të ndiqet i njëjti model si në Vlorë, ku drejtuesit vendorë u shkarkuan dhe drejtuesit e rinj do të testohen për efektivitetin e tyre përmes një mekanizmi të ri vlerësimi.

“Duhet shkundur e gjithë kjo pemë. Sepse 10 mandate në Elbasan janë një barrë. Mua personalisht më ka marrë edhe kohën që flija gjumë. Nuk është për të fjetur më shumë, por për të mos fjetur fare”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se me 83 mandate të fituara, mazhoranca nuk është më e fortë, por më e ekspozuar përballë përgjegjësisë.

“Për disa, tani mezi presin të tregojnë sa të fortë janë. Ne nuk jemi më të fortë, por më të ekspozuar ndaj përgjegjësive. Kjo është e vërteta”, përfundoi Rama.