
Nevil Dede do të drejtojë Tiranën. Lajmi konfirmohet nga klubi bardheblu nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare. Ashtu siç u raportua gjerësisht në dy ditët, ish-futbollisti i 25-herë kampionëve të Shqipërisë rikthehet për herë të tretë në stolin e ekipit kryeqytetas.
Në këtë mënyrë, Dede pason Emanuel Egbonë, i cili u shkarkua pas eliminimit befasues nga Korabi në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë, Dede liron pozicionin si trajner i Shqipërisë U19.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk bëhet me dije se për sa kohë ka firmosur Dede si trajneri i Tiranës.
Njoftimi i Tiranës
Nevil Dede është trajneri i ri i KF Tirana.
Klubi i Futbollit Tirana emëron në krye të pankinës bardheblu ish kapitenin legjendar Nevil Dede. I shpallur 8 herë kampion i Superligës Shqiptare, 5 herë fitues i Kupës së Republikës dhe 6 herë fitues i Superkupës, Dede ka shkruar një pjesë të historisë së bardhebluve. Nevil Dede ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit. Ai do të marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të rradhës. #miresevjenNevilDede

