Skema e Rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi do të ndryshojë. Formula e cila përdoret prej vitit 2018 me propozim të ish-ministrit në arrati Arben Ahmetaj do të shfuqizohet. Aktualisht sot një grumbullues kur blen produktin tek fermeri rimburisimin e TVSH-së e ka 0 për qind, ndërsa kur e blen në import rimbursohen 20 për qind. Qeveria vlerëson se ajo ka dëmtuar sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve e peshkimit.
Në programin e ri të qeverisë, të sapomiratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikohet të shpenzohet rreth 1.5 miliardë lekë në vit për rishikimin e skemës së TVSH-së te fermerët, që në ndihmë të tyre, pritet të funksionojë si transfertë direkte te fermeri.
Deri tani në rang vendi rezultojnë të regjistruar 100 mijë fermerë të pajisur me NIPT që kanë të drejtë të shesin te përpunuesi, grumbulluesi apo supermaketet produktet e veta, pa faturë TVSH-je, por nëpërmjet autofaturës që plotësohet prej blerësit.
Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së për përpunuesit ishte 20%, çka do të thotë se për çdo blerje me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme. Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë për fermerin dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi. (A2 Televizion)


