Një vit më parë Milani dhe Enitrachti i Frankfurtit shkëmbyen sulmuesit Andre Silva me Ante Rebic, teksa të dy ndërruan skuadra me formulën e huazimit 2-vjeçar me të drejtë blerjeje, por dy klubet kanë vendosur të sistemojnë gjithçka pas vetëm një viti.
Kështu gjermanët e Eintracht Frankfurt njoftuan mbrëmjen e sotme se kanë blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit portugez Andre Silva, me të cilin kanë nënshkruar edhe një kontratë të vlefshme deri në verën e 2023-shit.
Të njëjtin hap pritet ta bëjë edhe Milani, me zyrtarizimin e blerjes përfundimtare të kartonit të sulmuesit kroat Ante Rebiç, i cili ka shpërthyer gjatë vitit 2020 duke u bërë golshënuesi më i mirë i kuqezinjve dhe duke i bindur të gjithë me performancën e tij.
Marrëveshja mes dy klubeve është arritur tashmë, teksa para zyrtarizimit të transferimit final të Rebiç te Milani, duhet që Eintrachti i Frankfurtit të kalojë gjysmën e vlerës së kartonit në arkat e Fiorentinës, që ka ruajtur të drejtën e përfitimit të 50% të vlerës së shitjes së tij.
G. Expres