Zyrtare: UEFA e pezullon Arnautovicin për fyerjet ndaj dyshes shqiptare të Maqedonisë së Veriut

0
177

UEFA e ka pezulluar për një ndeshje sulmuesin e Austrisë, Marko Arnautovic, pasi u vërtetua se ai i fyeu dy futbollistë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në një ndeshje të Euro 2020 të dielën.

Arnautovic, i cili ka rrënjë serbe, u desh të frenohej nga kapiteni David Alaba, gjatë festimit të golit në fitoren e Austrisë 3:1 kundër Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Express.

Gjatë festimit, 32-vjeçari i fyeu Egzon Bejtulahin dhe Ezgjan Alioskin, të cilët kanë rrënjë shqiptare.

Kjo nënkupton se Arnautovic do të mungojë në ndeshjen e Austrisë kundër Holandës të enjten mbrëma

Besohet se Arnautovic, i lindur në Austri nga një baba serb dhe një nënë austriake, ishte inatosur me një ndërhyrje të Egzon Bejtulahit, paraprakisht.

Dhe më vonë, pasi shënoi gol, Arnautovic i reagoi Alioskit pasi shënoi duke e sharë “Ta q**sha nënën shiptar”, duke e përdorur termin fyes dhe racist të serbëve ndaj shqiptarëve. U desh ndërhyrja e kapitenit David Alaba për ta qetësuar 32-vjeçarin gjatë festimit të tij fyes dhe racist.

Por derisa e pranoi se gjakrat ishin nxehur dukshëm, 32-vjeçari e mohon të ketë përdorur çfarëdo shprehje raciste ndaj kundërshtarëve.

Në një reagim në Instagram, Arnautovic shkroi: “Kishte fjalë të nxehta dje për shkak të emocioneve të ndeshje, për të cilat dëshiroj të kërkoj FALJE – veçanërisht miqve të mi nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria. Dëshiroj ta them një gjë shumë qartë: UNË NUK JAM RACIST! Unë kam miq gati nga çdo vend dhe e mbështes diversitetin. Kushdo që më njeh mua është i vetëdijshëm për këtë. Më falni”.

Federata e Maqedonisë së Veriut e kishte kërkuar UEFA-s ta dënojë 32-vjeçarin dhe shtëpia e futbollit evropian e nisi një hetim ndaj tij të martën. /Gazeta Express/