135 shqiptarëve iu hiqet e drejta e votës, del lista e votuesve për zgjedhjet e pjesshme vendore

0
104

Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie për 6 njësi të qeverisjes vendore që do të mbahen në datën 6 mars 2022.

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote. Nga këta, 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë, por ajo që bie në sy është fakti se 135 qytetarë shqiptarë nuk do të mund të votojnë në këto zgjedhje pasi kanë humbur të drejtën e votës.

Ligji i dekriminalizimit parashikon heqjen e të drejtës së votës për të dënuarit në burgje për krime të rënda. Duket se ata janë të dënuarit në burgun e Reçit, të cilët nuk do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës. Të dënuarve për krime të rënda iu rikthehet e drejta për të zgjedhur pasi të kenë kryer dënimin.

Banorët e gjashtë bashkive që shkojnë në zgjedhje do të votojnë në 941 qendra votimi, të cilat do të administrohen nga KZAZ-të përkatëse.

 

Çfarë parashikon ligji për dekriminalizimit:

Neni 12

Procedura për zbatimin e ndalimit për zgjedhësit

  1. Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile e cila merr masa për pezullimin e së drejtës së votës dhe ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ky pezullim zgjat deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4, pika 8, të këtij ligji. Me mbarimin e afatit të pezullimit, shërbimi i gjendjes civile e heq pezullimin kryesisht.
  2. Me qëllim njoftimin e personit të dënuar në lidhje me pezullimin e së drejtës së votës, vendimi i dënimit përmban në dispozitivin e tij edhe faktin e pezullimit, sipas këtij neni. Mospërfshirja e këtij ndalimi në dispozitivin e vendimit nuk përbën shkak për pavlefshmërinë e pezullimit. Në çdo rast, shërbimi i gjendjes civile merr masa për njoftimin e shtetasit, në lidhje me ekzekutimin e pezullimit si edhe për mbarimin e pezullimit.
  3. Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e zgjedhësve.
  4. Ministria përgjegjëse për shërbimin e gjendjes civile nxjerr aktet nënligjore në zbatim të kësaj pike, në përputhje me afatin e përcaktuar në nenin 16, pika 5, të këtij ligji.