“39 euro për të shpëtuar një jetë”! Ky ilaç i lirë mund të jetë shpresa për të sëmurët kritikë me COVID-19

0
308

Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhanë një lajm të mirë të martën për një ilaç të lirë që ka mundur të ulë numrin e vdekjeve te pacientët me COVID-19.

Ilaçi i quajtur Dexamethasone, është trajtimi i parë që zvogëlon vdekshmërinë në pacientët me sëmundje të rëndë. Nëse mjekët do të kishin përdorur ilaçin për të trajtuar pacientët në gjendje kritike pas infektimit me COVID-19 në Britani që nga fillimi i pandemisë, deri në 5000 vdekje mund të ishin parandaluar, sipas studiuesve.

Në raste të rënda, virusi sulmon drejtpërdrejt qelizat që rreshtojnë rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë e pacientit. Por infeksioni gjithashtu mund të shkaktojë një reagim dërrmues imunitar që është po aq i dëmshëm. Tre të katërtat e pacientëve me COVID-19 të shtruar në spital marrin oksigjen.

Ilaçi duket se zvogëlon inflamacionin e shkaktuar nga sistemi imunitar, duke mbrojtur indet. Në studim, Dexamethasone uli vdekjen e pacientëve të vendosur në ventilatorë me një të tretën, dhe vdekjen e pacientëve me oksigjen me një të pestën.

Sa kushton?

“Ka një përfitim të qartë. Trajtimi bëhet deri në 10 ditë. Dexamethasone kushton rreth 5 paund për pacient. Pra, në thelb kushton 35 £ (39 euro) për të shpëtuar një jetë“, tha Prof Martin Landray nga Universiteti i Oksfordit.

Deri më tani, spitalet në të gjithë botën nuk kanë asgjë për t’iu ofruar këtyre pacientëve të dëshpëruar, që vdesin, dhe perspektiva e një trajtimi të afërt – duket e largët.

Dr. Sam Parnia, pulmonolog dhe profesor i asociuar i mjekësisë në Grossman School of Medicine në Universiteti i New York-ut tha se ky ishte një lajmi i mirë.

Dhe ndërkohë që spitalet në Mbretërinë e Bashkuar ishin në gjendje të fillonin të martën,  trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë me Dexamethasone, shumë ekspertë në Shtetet e Bashkuara kërkuan të shihnin të dhënat dhe vetë studimin, të cilat ende nuk janë shqyrtuar ose botuar nga studiuesit.

Por çfarë thotë Organizata Botërore e SHëndetësisë për këtë studim?

Në një reagim zyrtar ditën e djeshme, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) mirëpret rezultatet fillestare të provës klinike nga Mbretëria e Bashkuar që tregojnë se Dexamethasone, mund të jetë shpëtues për pacientët që janë të sëmurë kritikë nga COVID-19. Për pacientët me ventilatorë, trajtimi u tregua se zvogëlon vdekshmërinë me rreth një të tretën, dhe për pacientët që kërkojnë vetëm oksigjen, vdekshmëria u shkurtua me rreth një të pestën, sipas gjetjeve paraprake të ndara me OBSh.

Përfitimi u pa vetëm te pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19 dhe nuk u vërejt te pacientët me simptoma më të buta.

“Ky është trajtimi i parë që tregohet për të zvogëluar vdekshmërinë tek pacientët me COVID-19 që kërkojnë mbështetje me oksigjen ose ventilator”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH. “Ky është një lajm i shkëlqyeshëm dhe uroj Qeverinë e Britanisë së Madhe, Universitetin e Oksfordit dhe shumë spitale dhe pacientë në Mbretërinë e Bashkuar që kanë kontribuar në këtë përparim shkencor shpëtimtar.”

Dexamethasone është një steroid që është përdorur që nga vitet 1960 për të zvogëluar inflamacionin në një sërë kushtesh, duke përfshirë çrregullime inflamatore ose kancerin. Ai është renditur në listën e ilaçeve thelbësore të OBSH-së që nga viti 1977 dhe aktualisht është pa patentë dhe është i disponueshëm në dispozicion në shumicën e vendeve.

OBSH do të koordinojë një analizë për të rritur kuptimin e përgjithshëm të kësaj ndërhyrje. Udhëzimi klinik i OBSH-së do të azhurnohet për të pasqyruar se si dhe kur ilaçi duhet të përdoret për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

iconstyle