40 milionë lekë fondi për strukturën e re të OFL-së

0
214

Qeveria ka akorduar një fond prej 40 milionë lekësh për funksionimin e strukturës së re të Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

Në rishikimin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kryer në buxhetin e vitit 2020 parashikohet një fond prej 40 milionë lekësh që do të mundësojë sigurimin e organikës së mjaftueshme për strukturën e re të OFL-së prej 87 efektivësh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se Akti Normativ i Buxhetit mbështet edhe me 40 milionë lekë Operacionin Forca e Ligjit.

“Forcat e Rendit janë në gatishmëri të qytetarëve dhe Strukturat e OFL do të vijojnë punën kundër krimit të organizuar”, thekson ministrja.

“Operacioni Forca e Ligjit”, një strukturë e cila u prezantua në fillim të muajit shkurt të këtij viti zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me SPAK, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me partnerët si objekt shkatërrimin e burimit ekonomik dhe financiar që mban gjallë krimin e organizuar dhe pengon progresin e gjithanshëm të shoqërisë.

atsh