Hamide Blacari afërsisht prej gjysmë shekulli punon si saldatore në kombinatin metalurgjik.
Ky profesion nuk ishte e zgjedhja e saj, 50 vite më parë qe sistemi ai që vendosi për arsimin profesional të Hamides.
“Atëherë ishte industria në zhvillim e sipër dhe kishte shumë nevojë për specialistë të degëve të ndryshme. Edhe ne na çuan, pasi nuk e dinim si ishte profesioni. Tani jam shumë krenare për këtë punë, pasi e bëj me dashuri”, tha Hamide Blacari, saldatore
Në ato vite Hamideja kishte plot kolege që punonin me të, ndërsa sot ajo thotë se mund të jetë gruaja e vetme në Shqipëri që punon si saldatore.
“Kur filluam punë ishim me qindra gra dhe vajza, filloi demokracia në 92 fabrikat dhe uzinat u mbyllën komplet, dhe ato dolën pa punë i flakën në rrugë. Dhe sa sot sa gra janë në këtë profesion? Deri para dy vitesh kisha dy kolege të tjera, ndërsa sot jam vetëm unë”, tha saldatorja.
Edhe pse në moshë pensioni, 66-vjeçarja vazhdon të punojë si saldatore. Në shtator të vitit të kaluar Hamideja u përball me probleme serioze shëndetësore, ku për të luftuar sëmundjen e rëndë iu desh të fillonte kimioterapinë. Pavarësisht kësaj gruaja saldatore thotë se puna është ilaçi më i mirë.
” Ti po kalon një moment të vështirë shëndetësor si po përballon punën dhe shëndetin ? Unë punoj me orar të reduktuar, mjekimet janë shume të shtrenjta, por nevoja…’, tha Hamideja.
Ke një mesazh për të dhënë? Ne duhet të merrem me punë dhe aktivitete te ndryshme, dhe punë është një ndër këto që të largon dhe stresin, plus të ndihmon ekonomikisht. Mundohuni të merreni me punë mos e dëshironi jetën shtëpiake. ”
Nëse Hamiden e pyet a do të doja që edhe fëmijët e tu e të kishin të njëjtin profesion. Përgjigja është jo, dhe për këtë e ka një arsye.
” Jo, përderisa unë jam në familje mjaftojnë. Vajza dhe djali do te zgjedhin rrugën e vet. Pensioni këtu është shumë i ulët 180 mijë lekë. Profesioni jonë është kategoria B, pas minatorëve dhe naftëtarëve dhe nuk jemi të vlerësuar pasi ne jemi shumë të rrezikuar nga rrezet, pluhurat, gazra të ndryshëm”, shtoi ajo.
Top Channel