7 pasuritë e patundshme dhe 120 mijë eurot e padeklaruara, si u pasurua Alda Klosi për 6 vite (DEKLARATAT)

0
60

Media ka siguruar deklaratat e pasurisë së Alda Klosit që nga dita ku ajo është emëruar në administratën e lartë shtetërore në 2016, si drejtore në Ministrinë e Financave. Atë vit zonja Klosi kishte një pasuri modeste, bashkëpronare me të shoqin Altin Klosi në një apartament prej 47m2 katrorë në Tiranë, me vlerë 2,5 milion lekë, një automjet Toyota Yaris i vlerësuar 180 mijë lekë dhe disa llogari bankare me vlera të ulëta ose të papërfillshme, prej 7 eurosh apo 3,8 dollarësh.

Ndërsa bashkëshorti kishte dhe një truall prej 1000 m2 katrorë në periferi të Tiranës me vlerë 9 milionë lekë, ku përfshihet dhe një ndërtim prej rreth 90 m2.

Një vit më pas Alda dhe Altin Klosi blenë një apartament në Tiranë prej 72 metrash katrorë me vlerë rreth 32 mijë euro, financuar pjesërisht nga një kredi prej 2 milionë lekësh, 950 mijë lekë të tjera i kanë marrë borxh dhe nga një garanci financiare të një prone me qira.

Në vitet e tjera pasuria e Alda Klosit nuk ka pësuar ndryshime të mëdha. Por në 2021 Alda Klosi tashmë e divorcuar papritur bëhet e pronare e dy apartamenteve banimi në Lezhë, me vlerë gati 8 milionë lekë që të dy.
Po në këtë vit Alda Klosi shlyen kredinë e marrë në 2017 për blerjen e apartamentit në Tiranë, dhe bëhet pronare me të drejta të plota.

Kurse në vitin e fundit 2022 Alda Klosi deklaron se ka përfituar tre pasuri si trashëgimi ligjore nga familja. Por teksa ka deklaruar pronat e marra nga trashëgimia, ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë për të paktën 120 mijë eurot e vjedhura në shtëpi. Megjithëse thotë se shuma e vjedhur është për kurimin e xhaxhait, ajo kishte si detyrim ligjor ta raportonte si gjendje cash në shtëpi.

 

Zyrtarja e shtetit Alda Klosi, deri në 17 gusht të vitit 2022, nuk ka deklaruar në ILDKP, shumat e parave që pastruesja Rozeta Dobi i ka vjedhur në banesë. Në gusht të vitit që kaloi, zonja Klosi ka dorëzuar në ILDKP deklaratën e fundit dhe të plotë të pasurisë, si detyrim ligjor para emërimit në funksionin e drejtores së kabinetit në Ministrinë për Rindërtimin dhe Programin për Reformat, e drejtuar nga Arben Ahmetaj. Nga deklarata e siguruar nga Report Tv rezulton se zonja Klosi nuk ka deklaruar shuma parash në banesë dhe as bizhuteri. Nga ana tjetër, Alda Klosi ka denoncuar pastruesen Rozeta Dobin se i ka vjedhur 120 mijë euro dhe bizhuteri në banesë. Në një intervistë për mediat, Klosi ka pohuar se paratë janë të xhaxhait të saj dhe se i kishte deklaruar sipas ligjit.

Ligji për deklarimin e pasurisë, neni 4, parashikon detyrimin e zyrtarëve që janë subjekte deklaruese, siç është edhe Alda Klosi, që të deklarojnë gjendje parash në cash jashtë sistemit bankar, çdo send me vlerë mbi 300 mijë lekë, dhuratat me vlerë mbi 10 mijë lekë, shpenzime, vlerën e likuiditeteve, llogari rrjedhëse etj. Në deklaratën e fundit dhe të plotë të pasurisë Alda Klosi nuk ka deklaruar asnjë lekë cash. Por, nuk dihet nëse zyrtarja e shtetit i ka pasur paratë në banesë para apo pasi ka bërë deklarimin e fundit të pasurisë.

Ndërkaq, Alda Klosi deklaron dy apartamente që i kanë dhuruar në Shëngjin në vlerën 7.5 milionë lekë ose rreth 70 mijë USD, apartament 47 m2 në Tiranë në bashkëpronësi, apartament 72 m2 në bashkëpronësi, apartament 50 m2 dhe dy sipërfaqe truall në bashkëpronësi, si dhe një makinë të tipit Toyota RAV4, e vitit 2013, deklaruar në vlerën rreth 4 mijë euro.

Alda Klosi ka nisur deklarimin e pasurisë në vitin 2017 për shkak të pozicionit të drejtore në Ministrinë e Financave, duke deklaruar vetëm një pasuri të paluajtshme, apartament 72 m2 në Tiranë, në bashkëpronësi, blerë për 31 mijë euro, një shumë jashtë logjikës së tregut, ndonëse 5 vite më parë. Si burim, deklaron një kredi 1.9 milionë lekë, një hua 900 mijë lekë si dhe një garanci 10 mijë euro të bashkëshortit nga dhënia me qira e një servisi makinash, pasuri kjo që nuk rezulton e deklaruar më vete. Kur ishte drejtore në Ministrinë e Financave, Alda Klosi rezulton se ka qenë edhe anëtare e Bordit të Çështjeve të Mira dhe e Bordit të Monitorimit të Marrëveshjes së Licencimit të Lotarisë Kombëtare.