Aksidentet në rrugë, 26.4% më pak vdekje në 6-mujorin e parë të vitit

0
226

Kufizimi i lëvizjeve gjatë muajve të karantinës duket se ka dhënë një efekt të përgjithshëm edhe tek numri i aksidenteve dhe fatalitetet në rrugë në 6 muajt e parë të vitit. Të dhënat e Institutit të Statistikave për aksidentet në rrugë tregojnë se vdekjet nga aksidentet u ulën me 26.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në muajin qershor 2020 numërohen 115 aksidente rrugore nga 131 aksidente të ndodhura në muajin qershor 2019, duke u ulur me 12,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjashtëmujorin e parë të 2020, numërohen 505 aksidente rrugore nga 714 aksidente të ndodhura në gjashtëmujorin e parë të 2019, duke u ulur me 29,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin qershor 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 143 persona nga 187 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 23,5%. Numri i të aksidentuarve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, është 656 persona nga 960 persona, duke u ulur me 31,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në muajin qershor 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 16 persona nga 26 persona të vdekur në qershor 2019. Në gjashtëmujorin e parë të 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 75 persona nga 102 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në publikimin e INSTAT.

Në lidhje me shkakun e aksidenteve, të dhënat tregojnë se në muajin qershor 2020, aksidentet rrugore, në 91,3% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25–34 vjeç, duke zënë 36,5% të numrit të aksidenteve gjithsej.

“Aksidentet në këtë grupmoshë janë rritur me 2,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjashtëmujorin e parë të 2020, aksidentet rrugore, në 16,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 19,8%, krahasuar me një vit më parë” thuhet në raportin e aksidenteve.

Monitor