“Ballkani është zemra e Europës, do propozojmë një reformë…”, Macron zbulon prioritetin e presidencës franceze të BE: Çfarë do ndodhë në qershor

0
135

Nga 1 janari deri më 30 qershor 2022, Franca do të kryesojë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ndërsa Presidenti Macron ka prezantuar sot prioritetet.

Në një konferencë që ka zgjatur mbi dy orë Emmanuel Macon ka veçuar Ballkanin Perëndimor, si një nga prioritetet gjatë presidencës që ai do të drejtojë në 6-mujorin e parë të vitit 2022.

Ai tha se Ballkani Perëndimor është ne zemër të Evropës dhe nuk mund të lihet pas dore. Ndërsa theksoi se disa fuqi të huaja po përpiqen të krijojnë destabilitet, raporton Le Parisien.

“Rajoni i Ballkanit përfaqëson një aksion shumë të rëndësishëm për dekadat në vijim. Ne nuk mund ta lëmë Ballkanin Perëndimor, i cili është në zemër të Evropës, të qëndrojë duarkryq dhe ndërkohë që fuqitë e huaja kërkojnë të na destabilizojnë”, u shpreh Macron.

Po ashtu Kreu i Shtetit francez tha se një konferencë për Ballkanin Perëndimor do të mbahet në qershor, me qëllim për të gjetur përgjigje “të përbashkëta ” ndaj sfidave të këtij rajoni.

“Duhet të bëjmë një politikë riangazhimi atje dhe gjithashtu investime për të nxitur integrimin ekonomik të këtij rajoni, për të ngritur çështjen e pakicave dhe për të luftuar kundër ndërhyrjeve, manipulimeve të cilat janë rezultat i disa fuqive rajonale që kërkojnë në të gjithë Ballkanin të destabilizojnë Evropën”, deklaroi kreu i shtetit francez gjatë një konference për shtyp.

Sa i takon politikave të brendshme të BE-së, ai tha se do të propozohet një reformë e zonës Shengen. Miratimi i paktit evropian të migracionit do të jetë gjithashtu një nga çështjet prioritare të Francës.

“Nëse do të duhej ta përmblidhnim këtë presidencë me një fjali: ne duhet të kalojmë nga një Evropë bashkëpunimi brenda kufijve tanë në një Evropë të fuqishme. Ky është qëllimi”, tha ndër të tjera Macron.

Franca e merr kryesimin e BE-së nga Sllovenia, më 1 janar të vitit të ardhshëm. Pas gjashtë muajsh, më 1 korrik 2022, Franca ia dorëzon kryesimin e BE-së, Republikës Çeke.