Ballokume, ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës/ Zbuloni sekretin e recetës së nënave të Elbasanit

0
35

Ballokumet janë ëmbëlsira simbol e Ditës së Verës. Elbasani njihet si qyteti i ballokumeve, megjithatë amvisat dhe zonjat e shtëpisë në të gjithë Shqipërinë kanë filluar ta ndjekin këtë traditë.

Në recetën tipike elbasanase, përdoret enë bakri për përgatitjen e ballokumeve, ndërkohë që  përbërësi sekret është finja (përgatitet me hi te pastër dhe ujë, lihet për disa minuta në qetësi dhe filtrohet).

Sot sjell recetën tipike të Elbasanit për përgatitjen e ballokumeve.

Përbërësit

1 kg sheqer (jo i bluar)
1 kg mielli misri i situr
450 gr gjalpë – preferohet gjalpë dhie
7 kokrra vezë
½ lëvozhgë veze e mbushur me finjë (nga hiri i zjarrit me dru ahu)
Përbërësit mund të shumëfishohen në mënyrë proporcionale sipas dëshirë

Përgatitja:

– Futet sheqeri në enën e bakrit të pa kallajisur dhe pas tij menjëherë futet gjalpi i sapo shkrirë në zjarr, por me temperaturë të vakët, pra jo i nxehtë.

– Fillon përzierja e kësaj mase me lugë druri pa ndërprerje përreth 30 minuta, derisa masa e sheqerit dhe gjalpit në enën e bakrit të marrë formën e kremit. Kohëzgjatja e përzierjes ka të bëjë me tretjen sa më të mirë të sheqerit dhe të gjalpit duke u fërkuar në muret e enës së bakrit. Kjo është e rëndësishme dhe veçanti e kësaj ëmbëlsire delikate në gatim.

– Futet veza e parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të zhduket në këtë masë. (Këshillohet që vezët fillimisht të thyhen e të futen në një pjatë, për të evituar ndonjë vezë të prishur).

– Pas 1 minute futet veza e dytë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të zhduket si veza e parë.

– Pas 1 minute tjetër futet veza e tretë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa edhe kjo të zhduket si dy të parat.

– Pas futjes së tre vezëve të para futet në masën që po përgatitet ½ lëvozhge veze me finjën e përgatitur më parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri.

– Vijon përzierja me lugë druri përreth 5 minuta.

– Pas kësaj, fillon futja e miellit të misrit me dorë (duke e përhapur miellin në të gjithë sipërfaqen e enës dhe jo në formë topi), pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri.

– Vijon futja e miellit të misrit me dorë, me intervale çdo 4-5 minuta në mënyrë që të tretet mielli njëtrajtshëm dhe të mos krijohen topa mielli brenda masës së kremit, pa e nderprerë përzierjen me lugë druri. Nga mielli i misrit hiqet një dorë dhe zëvendsohet me miell gruri. Kjo procedurë vazhdon derisa të mbarojë mielli.

– Me masën e përftuar mund të bëhen 9-11 kokrra ballokume (sipas preferencës së madhësisë së kokrrave).

– Merret me dorë një masë nga ky brumë dhe pa e ngjeshur aspak nëpër duar, i jepet lehtë forma e duhur dhe vendoset në tepsinë që do dërgohet në furrë, e cila duhet të jetë e pudrosur lehtë me miell misri dhe me asgjë tjetër.

– Këshillohet që para se të dërgohen në furrë për t’u pjekur, merret pak brumë në dorë dhe bëhet një kokërr e vogël sa një grusht dhe piqet në një stufë elektrike me 140-150ºC për 15-20 minuta. Nëse kjo kokërr hapet dhe ndehet tregon se masa kërkon edhe pak miell. Në të kundërt, nëse kokrra qëndron e rregullt është tregues se masa është gati për t’u bërë kokrra dhe të shkojë në furrë.