Basha me sipërmarrës në Kamëz: Ne do të ulim taksat për biznesin dhe do rrisim pagat

0
272

Qytetarët dhe sipërmarrësit janë të braktisur nga qeveria”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në një takim me qytetarë dhe sipërmarrës në Kamëz, ndërsa u premtoi se PD do të ulë taksat dhe do të rrisë pagat.

Basha tha se “në Kamëz, ashtu si dhe në gjithë Shqipërinë takova qytetarë dhe sipërmarrës të vegjël të zhytur në varfëri, të braktisur nga qeveria dhe në pamundësi për të siguruar mbijetesën. Qytetarë të papunë, biznese të zhytura në borxhe, taksa dhe fatura të larta si dhe ulja drastike e fuqisë blerëse janë kryefjalë në jetën e çdo fshati, lagjeje dhe qyteti të Shqipërisë”.

Në 7 vjet, tha ai, “Rama rriti taksat, rriti çmimin e dritave, të ujit, të naftës, tarifat e shkollimit, por nuk rriti paga as pensione, nuk ndërtoi as shkolla, as spitale, as rrugë, por paratë që iu mori qytetarëve, i çoi në xhepat e pesë oligarkëve”.

Sipas tij, ndërsa shqiptarët varfërohen, oligarkët vazhdojnë të shtojnë pasuritë që i bashkëndajnë me qeveritarët.

“Në planin tonë të pamundurit nuk do të braktisen, por do të jetë buxheti i shtetit që do t’iu mundësojë, bukë, ujë e drita siç bën çdo qeveri e përgjegjshme sot në botë. Ne do të ulim taksat në mënyrë që ato para që sot shkojnë ne xhepat e pesë oligarkëve, nesër të kthehen në investime që shtojnë vendet e punës dhe rrisin pagat”, theksoi ai.

Gjithashtu Basha tha se “ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investitorët e huaj që mundësojnë vende pune. Mbështetja e sipërmarrësve të rinj dhe punësimi i të rinjve do të jetë ndër prioritetet kryesore të miat dhe të Partisë Demokratike”.

Atsh