Bëhen gati “avionët e apokalipsit”, shërbejnë për të shpëtuar vetëm presidentët

0
95

Sulmet bërthamore janë një opsion real në kontekstin e luftës në Ukrainë. Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, kanë një as në mëngë, më konkretisht “Avionin e Apokalipsit”, i cili është projektuar për t’u përdorur në rast sulmi bërthamor.

Funksioni i këtij avioni është që të largojë presidentin dhe kabinetin e tij ushtarak nga të gjitha rreziqet, në mënyrë që ata të mund të drejtojnë luftën. Deri më sot, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë një aeroplan të Ditës së Kiametit.

Bëhet fjalë për një avion që ka përmasat e një godine dhe që mund të strehojë një qeveri të tërë. Në këtë mënyrë, lidershipi i këtyre vendeve mund të udhëtojë me avion dhe të shmangë rreziqet fatale. Modeli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i njohur, por rusi ka krijuar polemika, sepse do të ekspozohej në paradën e fitores të hënën, por në momentin e fundit u vendos të anulohej ai prezantim.

Shtetet e Bashkuara kanë të paktën katër avionë të tillë, të quajtur Boeing E-4 Advanced Airborne Command Post, me emrin “Nightëatch”, një avion komandimi dhe kontrolli i operuar nga Forcat Ajrore të SHBA. Nga ky avion, duke qenë në ajër, presidenti amerikan mund të drejtonte luftën së bashku me kabinetin e tij.

Modeli aktual i përdorur nga skuadrilja e parë e komandës dhe kontrollit ajror të Krahut të 55-të korrespondon me Boeing E-4B. Ka mbrojtje kundër pulsit elektromagnetik, efekteve mbrojtëse bërthamore dhe termike, elektronikë të avancuar dhe një shumëllojshmëri të gjerë të pajisjeve të komunikimit. Çdo njësi, sipas raporteve, do të kushtonte rreth 200 milionë dollarë. Shtetet e Bashkuara lëshuan një nga aeroplanët e tyre të “Ditës së Apokalipsit” më 28 shkurt. Megjithatë, administrata Joe Biden vuri në dukje se ishte një fluturim rutinë.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se një fluturim i Ilyushin-80 Maxdome, modeli në pronësi të Vladimir Putin, do të shfaqej në paradën e 9 majit. Por më në fund, ai fluturim nuk u realizua. Ky është projektuar në mënyrë që të mund të përdoret si një post komandimi për presidentin rus dhe ushtrinë e tij të lartë në rast të një lufte bërthamore. Avioni është një evolucion i Ilyushin Il-86 dhe u pagëzua në maj 1985.

Ndryshe nga avioni i Biden, ai i Putin nuk ka dritare nga jashtë, përveçse në kabinë, për të garantuar sigurinë kundër shpërthimeve dhe pulsit elektromagnetik. Avioni është 59.54 metra i gjatë dhe ka një hapje krahësh prej 48.06 metra. Rusia ka katër nga këta avionë, megjithëse nuk janë saktësisht identikë.