Biznesmeni, administrator i shkollës private i shpëton atentatit tek Liqeni i Thatë. U qëllua me silenciator

0
117

Administratori i shkollës “Willson” Lulzim Masha, 63 vjeç i mbijetoi një sulmi me armë ndaj tij në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë mesditën e 18 janarit 2022.

Policia tha se sipërmarrësi ka qenë duke lëvizur me makinën e tij te nënkalimi te Liqeni i Thatë, kur një person ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë drejt automjetit të tij.

Sipas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit.

Provat e mbledhura nga vendi i ngjarjes, sipas policisë tregojnë se atentatori ka qëlluar tri herë më armë zjarri, ndërsa dy plumba kanë prekur automjetin e biznesmenit.

Dëshmitarët kanë pohuar se arma ka qenë me silenciator pasi nuk kanë dëgjuar krisma në vendin e ngjarjes.