‘Çmendet’ çmimi i druve një m3 shkon deri në 75 mijë lekë

0
85

Shtrenjtohet me gati dyfish çmimi i druve për ngrohje në Korçë. Nga 45 mijë lek aktualisht në qytetin juglindor një metër kub dru po shitet deri në 75 mijë lek, ndërsa me afrimin e drimit pritet të ketë tjetër shtrenjtim. Kjo situatë aspak normale ka kapur në befasi shumë familje korçare, ku më të prekurit janë pensionistët, shumë prej të cilëve thonë se këtë dimër do ta kalojnë pa ngrohje për shkak të pamundësisë për të blerë dru apo paguar energjinë elektrike. Ndjekim materialin e pargatitur nga gazetarja Sidorela Xhomaqi, e cila ka intervistuar disa familje pensionistësh në Korçë.

Thomai Cenko është një e moshuar nga qyteti i Korçës, e cila ka vendosur të blejë paraprakisht drutë që i duhen për ngrohje gjatë dimrit.

Ajo tregon për syri Televizion se ka blerë rreth 7 metër kub dru, me çmim 65 mijë lek të vjetër për metër kub, ose thënë ndryshe, rreth 20 mijë lek më shtrenjtë se një vit më parë.

E moshuara tregon se paratë për drutë i ka kursyer nga pensioni. Por, rritja e çmimit të druve, energjisë dhe produkteve ushqimore, ka vënë në vështirësi atë dhe familjen e saj, e cila ka nisur të marrë para borxh për të siguruar jetesën.

Por teksa e moshuara Cenko ka mundur të sigurojë lëndën e parë për ngrohje ende pa nisur dimri, familja e Agim Serianit dimrin duket se do ta kalojë pa ngrohje.

I moshuari thotë se të vetmet të ardhura në shtëpi, janë ato të pensionit të tij prej 1500 mijë lekësh. Këto para nuk mjaftojnë për të siguruar ushqim për anëtarët e familjes, ndaj sipas Agim Serianit dimrin do ta kalojnë pa ngrohje…

Ende pa nisur dimri, çmimi i Druve në Korçë ka shkuar në në 75 mijë lek për metër kub, përfshirë këtu kostot e transportit deri në banesë.  Por sikur të mos mjaftojë shtrenjtimi i druve, për këtë lëndë Korça po has në vështirësi. Në një mbledhje të pak ditëve më parë në prefekturë, kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo, ngriti alarmin për mungesën e lëndës drusore.

Ministrja Belinda Balluku ka paralajmëruar shtrenjtim të energjisë, por në familjen e Qemal Hazisllarit kriza e çmimeve ka varfëruar buxhetin. Kostoja e jetesës për këtë pensionist është shtrenjtuar dyfish, ndërsa nëse rritet dhe energjia, ai thotë se në dimër nuk do mund të ngrohet.

Nga ana tjetër, qeveria ka paralajmëruar rikthim të paketës së rezistencës sociale, e cila është vetëm 30 mijë lek të vjetër në muaj. Kjo shumë për pensionistët është e papërfillshme, pasi nuk mjafton as për blerjen e ilaçeve…

© SYRI.net