COVID-19/ 46% e bizneseve raportuan se nuk kanë larguar asnjë punonjës, vlerësojnë masat mbështetëse (Video)

0
266

Për të kuptuar efektet që po jep në ekonomi infeksioni COVID-19, Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) zhvilloi një anketim për periudhën prill-maj 2020.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi sot të dhënat e mbledhura nga ky anketim ku u përfshinë 200 kompani shqiptare dhe të huaja.

Kompanitë e anketuara i përkasin fushave të ndryshme. 50 kompani operojnë në fushën e ICT, 65 kompani operojnë në industrinë përpunuese, 11 kompani operojnë në agropërpunim dhe 10 kompani operojnë në sektorin e turizmit.

Po ashtu bëhet e ditur se 118 kompani janë të huaja dhe 82 kompani shqiptare.

Referuar të dhënave të mbledhura, 31% e kompanive të anektuara kanë raportuar ulje me 20% të të ardhurave.

23% e kompanive të përfshira në anketim raportuan rënie të të ardhurave me 5-20%, ndërsa 16% e kompanive thanë se e kishin të pamundur të parashikonin situatën.

Problematikat e raportuara nga kompanitë gjatë anketimit lidhen me mungesë likuiditeti, klientësh dhe rritje të kostos.

Kështu referuar të dhënave, 41 kompani raportuan mungesë likuiditeti, 95 kompani raportuan mungesë klientësh, 38 kompani raportuan vështirësi me pagesat ndërsa 33 prej tyre raportuan rritje të kostos.

Lidhur me masat e marra nga kompanitë për përballimin e situatës, pjesa më e madhe e biznesti raportoi se nuk kishte larguar punonjësit e saj nga puna.

Referuar statistikave, rezulton se 46% e biznesit raportuan se nuk kanë hequr asnjë punonjës, 21% lejuan punën në shtëpi dhe 10% aplikuan lejet vjetore.

Biznesi u pyet edhe se si i vlerëson masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e situatës.

Ata renditen si masat më pozitive 2 garancitë sovrane, atë për pagat ku shteti mori përsipër interesin, si dhe garancinë që mundëson huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga Covid-19. Në këtë garanci Ministria e Financave dhe Ekonomisë garanton 60% të principalit të kësaj huaje.

Pozitive është konsideruar nga biznesi edhe vendimi i qeverisë për riskedulimin e tatimfitimit dhe shtyrja e afatit për dorëzimin e bilancit deri në fund të muajit korrik.

atsh