Covid, shteti s`njeh privatin! Shumë qytetarë të privuar nga “certifikata e shërimit”

0
121

Prej fillimit të janarit qytetarët që e kanë kaluar Covid-19 mund të pajisen me certifikatë shërimi, për ta përdorur atë në punë apo në udhëtime si provë që janë imunizuar nga virusin. Por nga ky dokument privohen ata persona që tamponin e kanë kryer në laboratorët private, pasi sistemi shtetëror nuk i evidenton dhe nuk i njeh këto raste.

Qytetarët që e kanë kaluar Covid-19, por e kanë kryer tamponin në laboratorët privatë, rrezikojnë të mos pajisen me certifikatë shërimi.

Për të marrë përgjigje në kohë më të shpejtë apo për të shmangur rradhët e gjata në qendrat shëndetësore shumë persona u janë drejtuar laboratorëve të licensuar për t`u testuar.

Sot atyre që u duhet certifikata e shërimit në punë apo për të udhëtuar, si provë që e kanë kaluar infeksionin, nuk mund ta marrin atë nga e-Albania, pasi nga aty gjenerohen vetëm të dhënat e institucioneve shëndetësore publike.

Të pyetur nga Ora News mjekët thonë se nuk pranojnë tamponët e privatit për të shmangur çdo lloj abuzimi të mundshëm.

Për punë apo udhëtim këta persona janë të detyruar të kryejnë një test të ri PCR apo Testin e Shpejtë të Antigenit.

Mjekët e pyetur nga Ora News këshillojnë që personat që janë testuar në laboratorët privatë, të kryejnë edhe një test në Qendrat Shëndetësore dhe të lidhen menjëherë me mjekun e familjes për të mos humbur në këtë mënyrë të drejtën e marrjes së certifikatës së shërimit.

Ky dokument është përfshirë në shërbimet që ofrohen në portalin e-Albania prej fillimit të janarit 2022.

Por kalimi i Covidit në mënyrë absurde shënohet vetëm për ata që kanë bërë testin në institucionet shtetërore, edhe pse është vetë shteti që ka licencuar privatët.

Tashmë lind pyetja shteti nuk mund të mbajë në kontroll laboratorët privatë apo ka dyshime për manipulimin e të dhënave?

Në të gjithë rastet janë institucionet e Shëndetësisë që duhet të ushtrojnë kontroll ose së paku të informojnë qytetarët.