Dasmat kthejnë koronavirusin në Kukës e Has, shtohen infektimet

0
122

Infektimet nga koronavirusi po shtohen në qarkun e Kukësit pas pothuajse dy muajsh pa asnjë rast. Më shqetësuese është gjendja në Has, ku vetëm dy ditët e fundit janë identifikuar 11 raste të reja infektimesh me koronavirus.

Hasan Halilaj Drejtor i Njësisë Vendorë të Kujdesit Shëndetësor Kukës, thotë se kthimi i emigrantëve pranë familjeve, dasmat dhe grumbullimet mund të jenë shkak për përhapjen e koronavirusit.

“Kohët e fundit kemi shumë emigrantë që vijnë të takojnë familjet e tyre. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni. Por është dhe problemi i dasmave  dhe i tubimeve familjare, se ne mos të harrojmë që Covid-19  është i pranishëm dhe në Kukës tashmë.”

Halilaj tha se po punohet për sensibilizimin e banorëve për t’iu nënshtruar procesit të vaksinimit si e vetmja mundësi e mbrojtjes por edhe parandalimit për përhapjen e Covid-19, ndërsa tregon efektivitetin e vaksinave që po aplikohen në vendin tonë.

“Brenda një familjeje, 1 person që ka bërë  vaksinën nuk ka dalë pozitiv, por dy anëtarët e familjes kanë dalë pozitiv. Kjo tregon se vaksina është e domosdoshme dhe nuk do të bëhet asnjë lloj tolerimi në këtë pjesë.”

Rënien e interesit qytetar e lidh me mungesën e ndërgjegjësimit për t’u vaksinuar duke theksuar se nuk jemi në luksin e përzgjedhjes së llojit të vaksinës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë aktualisht janë aktivë 232 persona me koronavirus ndërsa qarku i Kukësit është i katërti me 21 raste aktive. Që nga shfaqja e pandemisë në Kukës, Has e Tropojë kanë humbur jetën 34 persona.

ora