Dhunë mes tifozëve para megaderbit, 3 të lënduar, thyhen xhamat e dyqaneve

0
219

Degjeneron në dhunë mes tifozëve derbi i kryeqytetit, i cili po luhet në “Elbasan Arena”.

Si pasojë e përplasjes mes tyre kanë mbetur të lënduar të paktën 3 persona.

Ndërkohë janë thyer xhamat e dy lokaleve në Elbasan, një në afërsi të qendrës së qytetit dhe një në afërsi të stadiumit.

Ndeshja ka nisur prej orës 18:00, në “Elbasan Arena”. Si “Demat e Kuq” ashtu edhe kampionët në fuqi vijnë në këtë përballje disi më ndryshe teksa kanë afruar në merkaton e dimrit disa futbollistë cilësorë, ku spikasin Murataj dhe Stenio Junior në njërin krah dhe Seferi e finlandezi Tim Väyrynen.

Do të jetë edhe njëherë tjetër një sfidë brenda sfidës ajo mes Ilir Dajës dhe Nevil Dedes dy shokëve shumë të mirë që do të sfidojnë njëri-tjetrin.

Derbi i parë i sezonit u mbyll në barazim pa gola, edhe për shkak të cilësisë së fushës në “Air Albania”, ndërsa sot në “Elbasan Arena” të gjithë shpresojnë që të jetë një ndeshje me gola dhe emocione.

Aktualisht Partizani renditet në vend të tretë në kuotën e 23 pikëve, 3 më pak se Teuta e vendit të dytë dhe 12 pikë larg Vllaznisë kryesuese. Ndërsa Tirana e sheh veten më poshtë, në vend të pestë, në kuotën e 20 pikëve.

Ndaj dhe sot fitorja është detyrim për të dyja ekipet.