Dorëhiqet Sekretarja britanike e Transporteve, ishte dënuar 10 vjet më parë pasi kishte mashtruar se i kishin vjedhur celularin

0
12

LONDËR – Ministrja britanike e Transportit, Louise Haigh dha dorëheqjen të premten për shkak të një dënimi të dhjetë viteve më parë për mashtrim, pasi pati pretenduar se i kishin vjedhur celularin.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Keir Starmer, zonja Haigh tha se: “Mbetem plotësisht e përkushtuar ndaj projektit tonë politik, por tani besoj se do t’i shërbehet më mirë me mbështetjen time nga jashtë qeverisë”.

“Unë e vlerësoj se sido që të jenë faktet e çështjes, kjo çështje në mënyrë të pashmangshme do të jetë një shpërqendrim nga kryerja e punës së kësaj qeverie dhe politikave të cilave i jemi përkushtuar bashkërisht”, ka shkruar ajo.

Dorëheqja erdhi disa orë pasi kanali televiziv Sky News dhe gazeta The Times e Londrës raportuan se zonja Haigh ishte akuzuar për mashtrim pasi raportoi se i ishte vjedhur një celular pune, kur u grabit në vitin 2013. Ajo më vonë tha se e kishte renditur celularin gabimisht ndër sendet e vjedhura.

 

 

Pasi gjeti telefonin dhe e ndezi sërish, ajo u thërrit për t’u marrë në pyetje nga policia. Zonja Haigh pranoi fajësinë për mashtrim nëpërmjet keqinterpretimit dhe iu dha lirimi me kusht.

Në një deklaratë përpara dorëheqjes së saj, zonja Haigh tha se “sipas këshillës së avokatit tim deklarova fajësinë – pavarësisht faktit se ky ishte një gabim i vërtetë nga i cili nuk përfitova. Gjykatësit i pranuan të gjitha këto argumente dhe më dhanë masën më të ulët penalizuese”.

Zonja Haigh, 37 vjeçe, ka përfaqësuar në parlament një distrikt në Sheffield, Anglinë veriore, që nga viti 2015 dhe u emërua në postin kyç të transporteve pasi Partia Laburiste e qendrës së majtë të Kryeministrit Starmer fitoi zgjedhjet në korrik.

Kryeministri Starmer emëroi 49-vjeçaren Heidi Alexander, si zëvendësuese të zonjës Haigh. Zonja Alexander u rikthye në parlament në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut, pas një periudhe mungese 6-vjeçare, një pjesë të së cilës ajo e kaloi në bashkinë e Londrës, me një pozicion të spikatur si drejtuese për sistemin e transportit të kryeqytetit./VOA/