Drama e emigrantëve në ujërat e Egjeut: Ping-pong mes autoriteteve greke dhe turke

0
128

Nga brenda bordit të një anije patrullimi të Komandës së Rojes Bregdetare turke dhe në errësirën e thellë të natës, është e pamundur të dallosh ujin nga qielli. Me afrimin e një stuhie, dy varka të zeza të vogla të mbushura me njerëz plot shpresa dhe ëndrra, sillen rreth e rrotull dhe mbeten të padukshme në errësirë, derisa fytyrat e tmerruara shfaqen nën prozhektorin e fuqishëm të rojes bregdetare.

Një gruaje të moshuar duket sikur e gjithë jeta sapo i ka kaluar para syve. Fëmijët e vegjël i kanë fytyrat të tmerruara. Kjo është mënyra se si u gjetën 20 emigrantë nga Afganistani. Në një gomone pa motor, pa një prozhektor apo jelekë shpëtimi.

Pra vetëm 2 gomone të dobëta prej gome në ujërat veriore të Egjeut. Imazhet termike ndihmuan në lokalizimin e tyre pasi një e-mail nga Garda Bregdetare e Greqisë u dërgua në kryeqytetin turk të Ankarasë, duke i informuar ata për “dy varka në ujërat turke… me shumë persona në bord”, në juglindje të ishullit grek të Lesbosit.

Roja bregdetare turke i bën një telefonatë homologes së saj greke, duke i informuar këta të fundit për detyrimin e tyre për të shpëtuar një gomone në ujërat e tyre. Rojet bregdetare greke u përgjigjën pak më vonë, duke thënë se gomonet tani ndodheshin në ujërat turke, pasi i detyruan emigrantët të ktheheshin përtej kufirit të padukshëm të detit.

Megjithatë sipas atyre që ndodheshin në bord, ata kishin zbarkuar në Lesbos disa orë më parë dhe ishin fshehur në pyll, përpara se të kapeshin nga autoritetet greke. Emigrantët rrëfyen se më pas u çuan sërish në breg dhe u hipën nëpër gomone, duke u zhvendosur dalëngadalë nga dallgët në ujërat territoriale turke.

Kalimet kufitare klandestine me gomone janë një dukuri e zakonshme në Detin Egje. Por numri i njerëzve që thonë se janë kthyer me forcë në ujërat turke pasi kishin arritur më parë në ujërat territoriale greke, apo edhe kur zbarkuan në një ishull grek, tanimë është në rritje.

Këto kthime përmes forcës, janë dokumentuar gjerësisht nga komisioni i të Drejtave të Njeriut i Këshillit të Evropës, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe platforma e gazetarisë investigative Bellingcat.

Sipas Konventës së OKB-së për Refugjatët dhe ligjit ndërkombëtar, kjo praktikë është e paligjshme. Megjithatë, pavarësisht provave të qarta të ndodhjes së tyre, shtetet nuk kanë pasur pasoja të mëdha.

Në një raport të majit të këtij viti, Komisionerja se Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović shkroi:“Unë jam veçanërisht i shqetësuar për një rritje të rasteve të raportuara, në të cilat emigrantët që kanë arritur ishujt lindorë të Egjeut nga Turqia me anije, dhe ndonjëherë madje janë regjistruar si azilkërkues, janë kthyer mbrapsht nga autoritetet greke drejt ujërave territoriale turke”.

Në afërsi të ishullit grek Samos, pranë qytetit turk Kushadasi, POLITICO vëzhgoi nga një anije patrullimi e Komandës së Rojës Bregdetare Turke, teksa dy anije të rojes bregdetare greke silleshin rreth një gomoneje pa motor, duke shkaktuar dallgë të forta rreth saj në një përpjekje të dukshme për ta shtyrë atë në territorin e afërt turk.

Një burrë u rrëzua në ujë dhe u tërhoq sërish në gomone pasi rrezikoi të mbytej. Një anije e rojes bregdetare greke,përdori më pas një litar për ta tërhequr varkën deri në kufirin ku nisin ujërat territoriale turke. Në bordin e gomones ndodheshin 39 emigrantë nga Mali, Kameruni, Somalia, Guinea, Kongo dhe gjetkë në Afrikën nën-Sahariane.

Ata pretenduan se motori i gomones ishte hequr nga rojet bregdetare greke, duke i lënë ata në mëshirë të fatit nën diellin përvëlues. Disa nga ata që ishin në bord, si Aliu 29-vjeçar nga Mali, kishin provuar kalimin drejt Greqisë, pasi kishin jetuar në rajonin Fatih të Stambollit për disa muaj, pasi kishin mbërritur në Turqi me avion.

Aliu dhe shoku i tij thanë se pas kësaj përvoje të tmerrshme,ata nuk do të përpiqen të shkojnë sërish në Greqi, dhe do të qëndrojnë në Turqi. Pra pikërisht rezultati për të cilin shpresonin autoritetet greke. Një tjetër i ri, nga Kameruni gruaja e të cilit jeton në Francë dhe që i ishte refuzuar viza e ribashkimit familjar, kishte tentuar të shkonte në Greqi për t’u ribashkuar me të.

Ashtu si të tjerët në anije, pasi t’i nënshtrohen procedurave të zyrtarëve turq të emigracionit në qytetin-port të Kushadasit, ai mund të lejohet të qëndrojë në Turqi, ose mund të dëbohet sërish në vendin e tij të origjinës.

Në një incident tjetër të ngjashëm, Zehra dhe djali i saj 4-vjeçar, dëshmojnë se kanë qëndruar 4-5 orë në Lesbos, duke u fshehur nëpër shkurret e ishullit, para sesa të kapeshin nga autoritetet greke, të cilat i rikthyen në det duke i hipur në një gomone pa motor, në Egjeun e errët.

“Kjo është një tentativë vrasjeje, është çmenduri, këto sjellje të palës greke janë shumë çnjerëzore”-thotë komandanti i rojes bregdetare turke të Egjeut të Veriut. Ai pretendon se Greqia po zbaton një politikë sistematike të rikthimit me forcë të anijeve me emigrantë në ujërat turke që nga shkurti i vitit 2020.

Para atij moment,ngjarje të tilla ndodhnin rrallë. Greqia është dukshëm e mbingarkuar me emigrantë pasi është një pikë kyçe e rrugëve të trafikut të qenieve njerëzore nga Turqia drejt BE-së. Ndaj emigrantë nga Azia dhe pjesë të Afrikës, që kanë mundësi të hynë në Turqi pa vizë ose mund ta marrin lehtë një të tillë, tentojnë të depërtojnë në Greqi.

Kampet greke të refugjatëve bartin aktualisht shumë më shumë njerëz sesa kapaciteti i tyre, dhe qytetet e kanë thuajse të pamundur të përballojnë numrin e njerëzve që janë bllokuar atje prej muajsh apo vitesh, me pak mundësi për të dalë nga ajo situatë.

Problemi është përkeqësuar që nga fundi i shkurtit 2020, kur presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shpalli hapjen e kufijve të vendit për ata që dëshironin të udhëtonin në Greqi dhe BE. Kjo bëri që mijëra refugjatë dhe emigrantë që gjendeshin në Turqi të udhëtonin në kufijtë tokësorë perëndimorë të vendit.

Në kundërpërgjigje, Athina akuzoi Ankaranë për përdorimin e emigrantëve si një armë. Vetëm muajin e kaluar, ministria e Jashtme ajo e Emigracionit e Greqisë, e caktoi zyrtarisht e Turqinë si një vend të sigurt, ndaj azilkërkuesit mund të kërkojnë aty mbrojtje ndërkombëtare duke u kthyer legalisht.

Rojet bregdetare turke përgjigjen se patrullimi në të gjithë vijën bregdetare turke, i mbushur me parqe kombëtare dhe gadishuj të izoluar, është i pamundur. Anijet e emigrantëve janë aq të vogla saqë imazhi termik ose radari mund t’i zbulojë ato vetëm brenda një rrezeje prej dy miljesh. Sipas komandantit të rojeve bregdetare turke të Egjeut të Veriut, këtë vit autoritetet turke kanë arrestuar deri më tani 40 kontrabandistë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme greke hedh poshtë akuzës e palës turke për shkeljen e të drejtave të emigrantëve që kapen. Por përtej politikës, realiteti njerëzor është se ata që ndërmarrin udhëtimin e vështirë dhe rrezikojnë jetën e tyre, paguajnë çmimin e kësaj qasjeje.

Udhëtimet në Egje janë shumë të rrezikshme.

Trafikantët e pamëshirshëm nuk shqetësohen aspak për jetët e njerëzve. Por nëse kthimet mbrapsht vazhdojnë, do të jetë vetëm çështje kohe para se emigrantët të humbin jetën në dallgët midis dy vendeve./ / Përktheu: Alket Goce-abcnews.al