Elbasan/ Arrestohet 67-vjeçari nga fshati Hajdaran për zjarrvënie

0
1273

Elbasan

Ndezi zjarr për të djegur disa mbeturina, në tokën e tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe me pemë frutore dhe me shkurre, në pronësi të disa shtetasve të tjerë, vihet në pranga.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, sapo janë njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Hajdaran, kanë shkuar menjëherë në këtë zonë dhe kanë kryer veprimet hetimore për identifikimin e autorit të zjarrvënies.

Si rezultat, është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi Xh. T., 67 vjeç, banues në fshatin Hajdaran. Shtetasi Xh. T. dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, për djegien e disa mbeturinave, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke me pemë frutore dhe me shkurre, në pronësi të shtetasve të tjerë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës./elbasani flash