Elbasan/ U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm! Arrestohen dy persona (VIDEO)

0
121

DVP Elbasan Finalizohet operacioni i koduar “Danubi 7”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Elbasan. Goditen 2 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, me 2 automjete.

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre përmes territorit shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Danubi 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

• N. M., 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Xibrakë, Librazhd, duke transportuar me një automjet, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 50-150 euro për person;

• L. L., 34 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Labinot-Elbasan, duke transportuar me një automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet, 4 aparate celulare dhe një sasi parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./elbasani flash