Në Elbasan e ruajnë ende traditën e gatimit të ballokumeve në prag të ditës së verës.
Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i ditës së verës.
Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është zakonisht dita e veres, ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo kohë të vitit në Elbasan.
Prej shumë vitesh, pastiçieri Englent Baku përgatit ballokumen tradicionale elbasanase, me recetë të trashëguar nga nëna e tij. Ai tregon se ballokumja vërtetë ka një recetë të thjeshtë dhe gatuhet në një enë bakri por në përgatitjen e saj duhet treguar kujdes.
Kërkesa për ëmbëlsirën e ditës së verës vijon të mbetet e lartë.
Pastiçieri thotë se edhe pse shumë qytete të tjera mundohen ta përgatisin ballokumen, sërish receta elbasanase mbetet autentike dhe e paimitueshme.
Edhe pse vitet kalojnë duket se ballokumen nuk e zëvendëson asnjë ëmbëlsirë, sidomos në ditën e verës, pasi ajo vjen nga kohë të largëta duke u trashëguar nga brezi në brez.