Etiketimi i ri i produkteve ushqimore nis më 19 korrik/ AKU informon biznesit për elementët që shtohen

0
322
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në zbatim të kërkesave të legjislacionit, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore në vend, risjell në vëmendje tek të gjithë operatorët e biznesit ushqimorë (OBU) se më datë 19 Korrik 2020 hyn në fuqi  vendimi i ri i qeverisë “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.
AKU i është drejtuar me një shkresë informuese të gjithë operatorëve të biznesit ushqimor nëpërmjet Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatave të ndryshme që përfaqësojnë interesat e subjekteve që prodhojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore.

Etiketimi i ushqimeve dhe informimi i konsumatorit, është një komponent tepër i rëndësishëm i mbrojtjes së interesave të konsumatorëve, është identifikimi dhe vlerësimi i produktit ushqimor që i ofrohet për konsum, nga pikëpamja e kritereve të cilësisë dhe sigurisë së tij.

Sipas këtij vendimi çdo operatori biznesi ushqimor (OBU), i cili është përgjegjës për etiketimin e produkteve ushqimore, bën notifikimin e etiketës për çdo produkt ushqimor pranë Drejtorive Rajonale të AKU-së, ku ushtron aktivitetin.

Vendimi sanksionon kërkesat e detyrueshme që duhet të përmbajë etiketa e një produkti ushqimorë, si: Emri i produktit ushqimor; Lista e përbërësve.

Ndërkohë që dy tregues të detyrueshëm për deklarim në etiketë janë “substancat / përbërës alergente” dhe “vlerat ushqimore mesatare”, të cilat nuk kanë qenë me parë elementë të detyrueshëm për deklarim në etiketë. Gjithashtu shtohet edhe shënimi për vlerën e energjisë; sasinë e yndyrave, të yndyrave të ngopura, karbohidrateve, sheqernave, proteinave, vitaminave dhe kripës.

AKU sqaron se, informacioni ushqimor i detyrueshëm shënohet në një vend të dallueshëm, në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i dukshëm, qartësisht i lexueshëm dhe të mos fshihet.

“Operatori i biznesit ushqimor është përgjegjës për informacionin ushqimor të deklaruar në etiketë, si dhe garanton praninë dhe saktësinë e informacionit ushqimor në përputhje me këtë vendim. AKU do të monitorojë ecurinë e këtij procesi” – thekson në njoftimin e saj AKU.

atsh