“Familje dëshmori”- Si iu vra babai efektivit “skifter”, i riu ia mori hakun 100 m larg Policisë së Lezhës

0
82

27-vjeçari Klisman Nikolli, efektiv i Policisë së Lezhës, u arrestua në Itali, pasi akuzohet si autor i 18 grabitjeve së bashku me Viktor Bilani dhe Flor Koca.

Pas prangosjes, Policia e Shtetit e përjashtoi nga radhët e uniformave blu dhe sqaroi se ai është djal dëshmori Policie.

Babai i të riut, Mark Nikolli, efektiv dhe rapsodi i njohur në Lezhë u vra në vitin 2003, vetëm 100 metra larg Policisë së Lezhës.

Mark Nikolli, 46 vjeç në atë kohë, ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë në momentin që autori Martin Pjetri, i vënë tashmë në pranga, e ka qëlluar me armë zjarri.

Polici ka rënë në tokë, por Pjetri nuk është mjaftuar me aq. Ai është afruar dhe e ka qëlluar sërish Nikollin, për tu siguruar që ishte vrarë. Arsyeja e kësaj vrasjeje ishte gjakmarrja, pasi motra e Mark Nikollit kishte vrarë babanë e Marjan Pjetrit.

Gjithsesi, pavarësisht raportimeve nga mediat italiane dhe njoftimit të policisë, e ëma e Klisman Nikollit e mohoi arrestimin e djalit të saj. Në një prononcim për mediat ajo tha se kishte folur dje me 27-vjeçarin dhe i kishte thënë se ndodhej në Gjermani.

“Janë shpifje dhe intriga”- Flet nëna e Klisman Nikollit: Djali nuk është arrestuar, fola në telefon, ndodhet në Gjermani

Familjarët e Klisman Nikollit, efektivit 27-vjeçar të policisë, tashmë të përjashtuar nga radhët e uniformave blu, mohojnë lajmet e mediave italiane për arrestimin e tij në Itali për vjedhje.

Nëna e 27-vjeçarit Gjelina Nikolli deklaroi për “News24” se ai ndodhet në Gjermani dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që shkruajnë mediat italiane.

“Ne jemi familje dëshmori. Janë të gjitha gënjeshtra, shpifje e intriga të keqdashësve të familjes Nikolli”, deklaroi ajo.

Sipas nënës, komunikimi i fundit me të birin është i ditës së djeshme. “Dje kam folur me djalin, më tha që ndodhet në Gjermani te nipi”, tha ajo.

Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku firmosi sot përjashtimin e tij nga Policia.

Policia e Shtetit përmes një komunikate për mediat bën me dije se gjatë kohës që 27-vjeçari ka kryer grabitjet në Itali ka qenë me leje për arsye shëndetësore pa të drejtë page.

Mediat italiane raportuan se 27-vjeçari Klisman Nikolli akuzohet si autor i 18 grabitjeve së bashku me Viktor Bilani dhe Flor Koca.