Ferri mbi tokë, shpërthimet e mega vullkaneve që mund të mbjellin mjerimin kudo: Shembujt nga historia janë të frikshëm

0
82

I ngritur mbi një ishull të largët të Paqësorit, vullkani është rreth 10-13 mijë kilometra larg nga Europa, por askush nuk është i sigurt nga shkatërrimi që do të shkaktojë ai në botë.

Për ditë të tëra, shpërthimet kanë tmerruar vendasit dhe tani vullkani është gati shpërthejë me një forcë 50 000 herë më të madhe se ajo e bombës atomike të hedhur në Hiroshima.

Ndërsa shkëmbinjtë e shkrirë dalin në sipërfaqe, flakët gjigante ngrihen në qiell me një zhurmë që mund të dëgjohet 2 mijë kilometra , ndërkoihë që një lum i nxehtë llave rrjedh poshtë shpateve të vullkanit. Së bashku me gazrat e dëmshëm mbytës, tymi i nxehtë dhe llava djegin ose asfiksojnë menjëherë banorët e ishullit duke shkatërruar gjithçka që gjejnë para.

Diku tjetër, reja gjigante e hirit e derdhur në atmosferë shkakton kushte të çuditshme të motit deri në Evropën Perëndimore. Avionët janë ndalur, të korrat janë shkatërruar dhe uria dhe sëmundjet vrasin miliona njerëz.

Ndërkohë, në Europë spitalet dhe morgjet janë plotë, kurse rrugët të mbushura me njerëz që protestojnë kundër rritjes së çmimeve, të cilat shpërthejnë në trazira të dhunshme.

Jo, ky nuk është komploti i një filmi katastrofash të Hollivudit, por një skenar i bazuar në shpërthime të mëparshme të vullkaneve gjigantë dhe një skenar që ka shanse 1/6 për të ndodhur nisur edhe nga eksperienca e shekujve të kaluar sipas revistës “Nature”

Parashikimi i zymtë vjen nga Dr Mike Cassidy, një vullkanolog nga Universiteti i Birminghamit dhe Dr Lara Mani, nga Qendra e Universitetit të Kembrixhit për Studimin e Rrezikut Ekzistencial.

Ai bazohet në depozitat e squfurit – një përbërës kryesor i gazeve vullkanike – që gjenden në depozitat e lashta të akullit në Antarktidë dhe Groenlandë. Këto tregojnë se sa shpesh kanë ndodhur shpërthime të mëdha në të kaluarën dhe kështu sa të mundshme janë ato në të ardhmen.

Në mënyrë të tmerrshme, ato shanse – të barabarta me hedhjen e një zari – lidhen me një vlerësim të shpërthimit prej të paktën shtatë në Indeksin e Shpërthimit Vullkanik (VEI), një masë e barabartë me shkallën Rihter për tërmetet dhe shkon nga një për më të voglin në tetë për më të fuqishmit.

Për ta vënë këtë në perspektivë, shpërthimi i malit Vezuv, i cili mori jetën e rreth 16,000 njerëzve në Pompei dhe qytete të tjera italiane në vitin 79 pas Krishtit, u vlerësua me shkallën pesë. Tani imagjinoni pak ndikimin e shpërthimit të një mega vullkani me Indeksin 7 kudo në botë, në një shoqëri të zhvilluar si kjo e sotmja!

Se si mund të shpaloset një ngjarje e tillë kataklizmike mund të matet nga dy shpërthime historike të nivelit shtatë. Të dyja ndodhën në Indonezi, por patën pasoja të tmerrshme në pjesën tjetër të botës, përfshirë Europën Perëndimore.

E para ishte në vitin 1257 në ishullin Lombok. Të vetmet rrëfime të dëshmitarëve okularë, të përfshira në një dokument të shkruar në gjethet e palmave, përshkruajnë se si ‘mali Samalas u shemb nga shpërthimi dhe shkatërroi gjithçka që kishte përreth.

“Të gjitha shtëpitë u shkatërruan dhe shumë njerëz vdiqën”, thonë dëshmitë.

Një re prej rreth 50 kilometra prej hirit, shtufit dhe shkëmbinjve të tjerë mendohet se ka qarkulluar rreth globit brenda pak javësh, duke mbushur stratosferën me grimca të acidit sulfurik që bllokuan rrezet e diellit.

Në abacinë e tij në St Albans, Hertfordshire, murgu anglez Mattheë Paris shkruan se viti 1258 filloi me ‘Të ftohtë të madh duke ngrirë gjithçka në tokë gjë që vrau të varfit, shkaktoi ngordhjen e bagëtive dhe uli sasinë e ushqimit”. Dhe ky ëshë vetëm fillimi.

Atë verë, ai shkroi se “për shkak të mungesës së grurit, vdiqën një numër shumë i madh njerëzish të varfër; dhe trupat e pajetë u gjetën kudo, të fryrë, të shtrirë nga pesë a gjashtë të shtrirë nëpër kasolle, shtëpi, rrugë…”.

Ky shpërthim thuhet se ka nisur Epokën e Vogël të Akullnajave, një ftohje shekullore e cila filloi rreth kësaj kohe dhe shkaktoi fenomene të tilla si ngrirja e lumit Tamis.

Kjo përfundoi në mesin e shekullit të 19-të, pak pasi bota kishte pësuar një tjetër shpërthim të nivelit të shtatë të VEI – atë të malit Tambora në prill 1 815. Vetëm 100 milje nga Samalas, shpërthimi ishte po aq vdekjeprurëse, duke vrarë rreth 100,000 njerëz, raporton abcnews.al.

Në 1816, Evropa përjetoi atë që u bë e njohur si “viti pa verë”. Gjatë atij dimri në dukje të pafund, temperaturat globale ranë mesatarisht me një gradë dhe pengimi i rrezeve të diellit bëri që njerëzit të mendonin se dielli po vdiste. Stuhitë e shpeshta dhe shiu i vazhdueshëm i mbajtën njerëzit brenda për ditë të tëra.

Në Angli, shkatërrimi i të korrave të grurit dhe rritja e mëvonshme e çmimeve shkaktuan trazira në pjesë të ndryshme të ishullit, ku protestuesit u armatosën me shkopinj druri të mbushur me thumba dhe mbanin flamuj duke thirrur “Bukë ose gjak”. Duke shkatërruar makineritë e shirësit, ata dogjën edhe hambarë dhe kasolle drithërash dhe protestat përfunduan vetëm kur u kërcënuan me dënim me vdekje.

I ftohti dhe lagështia, e kombinuar me njerëzit që lëviznin nga një vend në tjetrin teksa lypnin për ushqim, shkaktuan gjithashtu një nga epidemitë më të këqija të tifos në histori, duke vrarë 65,000 njerëz ndërsa u përhap kudo.

Sikur këto mësime nga historia të mos jenë mjaft të tmerrshme, pasojat mund të jenë edhe më të mëdha sot me tetë herë më shumë popullsi dhe më shumë se 40 herë më shumë tregti. “Rrjetet tona komplekse globale mund të na bëjnë edhe më të prekshëm ndaj goditjeve të një shpërthimi të madh”, thotë Mike Cassidy.

Sa të pambrojtur jemi u bë e qartë me shpërthimin e nivelit të katërt të VEI të vullkanit Eyjafjallajokull të Islandës në pranverën e vitit 2010. Mbyllja e hapësirës ajrore ndërkombëtare të shkaktuar nga reja e hirit që rezulton i kushtoi ekonomisë botërore rreth 4 miliardë paund.

Në fillim të këtij viti, një vullkan nënujor i nivelit gjashtë shpërtheu pranë arkipelagut Tongan në oqeanin Paqësor. Duke prodhuar një shtëllungë vertikale që shtrihet 30 milje mbi sipërfaqen e Tokës, dhe hiri vullkanik që bie mbi qindra milje, shkaktoi dëme të barasvlershme me pothuajse një të pestën e produktit të brendshëm bruto të Tongës.

Kabllot nënujore u shkëputën, duke ndërprerë komunikimet e Tongës me botën e jashtme dhe shpërthimi krijoi një valë goditëse atmosferike që udhëtoi me shpejtësinë afër shpejtësisë së zërit, duke krijuar cunami që arriti në brigjet e Amerikës së Jugut dhe Japonisë, mijëra milje larg. Për fat të mirë, shpërthimi, i cili vrau tre persona, zgjati vetëm 11 orë.

“Po të kishte vazhduar për më gjatë… do të kishte pasoja për zinxhirët e furnizimit, klimën dhe burimet ushqimore në mbarë botën”, shtoi ai.

Hulumtime të tjera kanë sugjeruar se pikat e nxehta të mundshme për shpërthimet e ardhshme të nivelit shtatë të VEI përfshijnë vullkanin Taupo në qendër të ishullit verior të Zelandës së Re dhe malin Damavand të Iranit, i cili shtrihet vetëm 30 milje nga kryeqyteti me popullsi të dendur si Teherani. Por mund të mos jenë vullkanet e njohura për të cilat duhet të shqetësohemi.

Depozitat e squfurit të gjetura në Antarktidë dhe Grenlandë sugjerojnë se ka pasur 97 shpërthime me magnitudë të madhe në 60,000 vitet e fundit, megjithatë ne kemi përcaktuar vendndodhjen e vetëm një numri të vogël vullkanesh dhe ato të pazbuluara mund të jenë gati të shpërthejnë përsëri, raporton abcnews.al.

“Vullkanet mund të qëndrojnë të fjetur për një kohë të gjatë, por gjithsesi të jenë të aftë për shkatërrim të papritur dhe të jashtëzakonshëm,” shpjegon Dr Cassidy. /abc